Arbëri

Shqipëria mbështet financiarisht Qendrën Rinore në Bujanoc dhe disa shkolla në Luginë

Tiranë, 17 dhjetor - Në vijim të mbështetjes së drejtpërdrejtë politike, financiare dhe institucionale për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi, bëri me dije se është vendosur mbështetja financiare për blerjen e pajisjeve për Qendrën Rinore në Bujanoc, ngritjen e Shkollës Digjitale në Preshevë dhe rindërtimin e godinës së Shkollës Fillore “Sami Frashëri” në fshatin Konçul.

Gjithashtu, sikurse thekson Cakaj mbështetja do të ofrohet edhe në pajisjen e plotë me literaturë të re në gjuhën shqipe për çdo grupmoshë në Preshevë, Bujanoc dhe për shkollat shqipe në Medvegjë.

Kryediplomati Cakaj nëpërmjet reagimit edhe një herë shprehu angazhimin e tij të plotë për vazhdimësinë e të gjithë projekteve të nevojshme për përmirësimin e jetesës së shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

“Ne tashmë vendosëm edhe dhënien e mbështetjes financiare për blerjen e pajisjeve të brendshme për Qendrën Rinore në Bujanoc, ngritjen e Shkollës Digjitale në Preshevë, rindërtimin e godinës së Shkollës Fillore ‘Sami Frashëri’ në Konçulin historik dhe pajisjen e plotë me literaturë të re në gjuhën shqipe për të gjitha grupmoshat në bibliotekën e Preshevës, Bujanocit dhe shkollat shqipe në Medvegjë. Puna jonë e përbashkët, natyrisht, vazhdon”, shprehet Cakaj në reagim/ATSH.