Arbëri

Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon të zgjatet orari i punës për festat e fundvitit

Rrjeti i Shitësve me Pakicë ripërsërit kërkesën ndaj institucioneve vendore për zgjatjen e orarit të punës dhe unifikimin e tij për të gjitha komunat, si nevojë themelore për evitimin e turmave për festat e fundvitit dhe për garantimin e mbarëvajtjes së veprimtarive ekonomike gjatë kësaj periudhe të gjendjes emergjente të shëndetit publik.

Marrë parasysh situatën në terren dhe mbylljen e institucioneve të arsimit ditëve në vijim, Rrjeti i Shitësve me Pakicë i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të zgjatet orarin i lejuar i punës, në mënyrë që të ruhet shëndeti publik dhe të garantohet zbatimi i masave.

Është evidente që kur kufizimi orarit të punës dhe lëvizjes ka qenë për kohë më të gjatë, konkretisht deri në orën 23:30, numri i infektuarve në raport me numrin e testimeve ka qenë shumë më i vogël.

Si ilustrim:

• Gjatë muajit dhjetor, mesatarja e infektimeve për 10 ditë e para del të jetë 37.19% në raport me testimet e bëra (orari i kufizuar deri në 18:00, 19:00 apo 20:00);

• Gjate muajit nëntor, mesatarja e infektimeve ka qenë 39.81% në raport me numrin e testimeve (orari i kufizuar deri në 18:00, 19:00 apo 20:00);

• Gjatë muajit tetor, mesatarja e infektimeve ka qenë 14.21% ne raport me numrin e testimeve të bëra (orari i kufizuar deri në orën 23:30).

Andaj, ne ritheksojmë se zgjatja e orarit të punës dhe lëvizjes është një nevojë e domosdoshme e komunitetit të biznesit, në mënyrë që situata e krijuar mos të ketë implikime më të mëdha jo vetëm në shëndetin publik, por edhe në ekonominë e vendit, thuhet në kërkesën e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, drejtuat institucioneve.