Arbëri

Ministria e Financave: Komuna e Prishtinës nuk i ka kryer procedurat për ekzekutimin e pakos për biznese

Ministria e Financave përmes një kumtese për media thotë se Komuna e Prishtinës, lidhur me pakon për t’i ndihmuar bizneset, ende nuk i ka kryer procedurat e nevojshme për ekzekutimin e kësaj pako, ashtu siç parashihet në rregullativën ligjore për financat publike, bazuar në të informatat nga regjistrat kontabël (SIMFK).

Po ashtu, thotë MF-ja, Komuna e Prishtinës nuk ka dorëzuar në Thesarin e shtetit një kërkesë zyrtare për pagesa të tilla (masive) për biznese, meqë kjo gjë s’është e mundur, dhe se Thesari pret që nëse ende Komuna planifikon të realizojë ekzekutimin e pakos për biznese, atë duhet ta bëjë sa më parë për shkak të afateve për mbylljen e vitit fiskal, dhe përmes sistemit për menaxhimin e financave publike, në pajtim me legjislacionin dhe udhëzimet në fuqi, që sigurojnë transparencën e duhur dhe llogaridhënie institucionale si organizatë buxhetore, përgjegjëse për dizajnimin dhe zbatimin e saj.

“Për këtë proces dhe që t`ju ofrojmë mbështetjen e duhur, ne kemi lëshuar një qarkore (datë 09.12.2020) për të gjitha komunat, me udhëzimet e duhura ligjore dhe operacionale, ndërsa i kemi kthyer një përgjigje me shkrim Komunës së Prishtinës (me datën 10.12.2020), lidhur me aspektet procedurale të zbatimit të pakos për përfitues për biznese, bazuar në kërkesën e saj për sqarime rreth këtyre proceseve”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Thesari bën me dije se zbatimi i këtyre pakove është në dorën e autoriteteve komunale (siç kanë bërë disa komuna tashmë), dhe kësisoj mbetet në përgjegjësinë e organizatave buxhetore që të kryejnë procedurat e rregullta të ekzekutimit të buxhetit, duke mbajtur përgjegjësinë për zbatimin e proceseve të brendshme të kontrollit. Pretendimet që vonesat në realizim të barten tek Thesari, janë të pabazuara dhe të pa sinqerta.