Arbëri

Sekreti i errët i Kizhevakut

Ata që kishin urdhëruar vrasjet e civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë bënë një krim të dytë, duke i fshehur trupat e tyre nëpër lokalitete të ndryshme në Serbi. “Strategji e shtetit”, për të fshehur krimet e regjimit të Slobodan Milosheviqit, e kanë cilësuar mediat ndërkombëtare fshehjen e trupave të viktimave. Kizhevaku është sekreti i errët i radhës. Nuk dihet ende sa viktima janë varrosur dhe nga cili rajon i Kosovës janë sjellë aty

Kizhevak, Rashkë, dhjetor – Rrobat që mbanin veshur 21 vjet më parë tani janë bërë një me dheun e baltën. Gjurmët e gjakut nga plagët e plumbave tashmë janë zhdukur. Aty-këtu shihen këpucë, që po ashtu kanë marrë ngjyrën e dheut. Madhësia e tyre mund të shërbejë si pikënisje e përcaktimit të moshës së viktimave shqiptare, të cilët dyshohen se u vranë në Kosovë, ndërsa trupat e tyre u transportuan dhe u varrosën në afërsi të një miniere në Rashkë të Serbisë.

“Kemi gjetur këpucë me numër 42, e që na bën të kuptojmë se bëhet fjalë për persona të rritur”, thotë njëri nga të angazhuarit në procesin e gërmimit në kërkim të mbetjeve mortore.

lokalitet që ndodhet në afërsi të kufirit me Kosovën, për dy dekada ka ruajtur sekretin e errët të krimit të dyfishtë. Nga fillimi i javës aty nisën gërmimet, gjë që ngjalli shpresat e familjarëve të personave të pagjetur për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.

Ende si të zhdukur në luftën e Kosovës konsiderohen 1.638 persona. Shumica janë shqiptarë, por në mesin e tyre ka edhe rreth 300 serbë.

Strategjia e krimeve me kufoma

Sekreti i errët i Kizhevakut ashtu si edhe i varrezave të tjera masive është ruajtur shumë mirë nga aparatura shtetërore serbe, që udhëhiqet nga ish-bashkëpunëtorë të nxitësit të katër luftërave në Ballkan, Slobodan Milosheviq. Ata që kishin urdhëruar krimet mbi civilët shqiptarë gjatë luftës, ishin përkujdesur që t’i fshihnin kufomat e të vrarëve duke bërë një krim të dytë mbi ta. Ideatori dhe urdhërdhënësi i krimeve dhe fshehjes së gjurmëve të tyre, Milosheviq, vdiq në burgun e Hagës gjersa përballej me veprat e rënda që i numëroheshin në aktakuzë. Ai shkoi i padënuar për krimet e llahtarshme mbi shqiptarët e popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë.

Në fazën e parë të gërmimeve në Kizhevak nuk mund të merren shumë informata për viktimat.

“Kur të nxirren eshtrat nga këtu, në pjesën e improvizuar si laborator, në afërsi nga këtu bëhet matja e eshtrave, nga ku identifikohen gjatësia, gjinia e mosha në kohën kur është vrarë viktima. Më pas, në tjetër laborator bëhet analiza e ADN-së, për identifikim të personit”, vazhdon sqarimin i angazhuari në gërmim.

Rruga për në Kizhevak nuk është e mundimshme, por nuk ka asnjë shenjë identifikuese për minierën që ndodhet në jug të Serbisë. Për nga distanca ajo nuk është larg nga Rudnica, vendi ku ishte zbuluar një tjetër varrezë masive me kufomat e fshehura të një grupi tjetër shqiptarësh të vrarë e të masakruar në luftën e Kosovës. Për të arritur në Kizhevak, kalohet pranë vendit ku në vitin 2013 ishte gjetur varreza masive e Rudnicës, me mbetjet mortore të 52 personave.

Image

Në Kizhevak, ekspertë me rroba të bardha shihen duke gërmuar. Gërmimi bëhet ngadalë dhe me kujdes me mjete të posaçme të punës. Ngjajnë në lopata shumë të vogla të dorës.

Nga aty pritet të nxirren mbetjet mortore të të vrarëve. Ende nuk dihet me saktësi sa do të jetë numri i të vrarëve, që do t’u kthehen familjarëve në arkivole.

“Çdo gjë do të jetë transparente në këtë proces”, ka thënë një javë më parë Velko Odaloviq, zyrtar i lartë në Beograd. Deklarata e tillë erdhi dy dekada pas fshehjes së trupave të viktimave.

“Strategji e shtetit” për t’i fshehur krimet e regjimit të Slobodan Milosheviqit ishte cilësuar në mediat ndërkombëtare fshehja e trupave të viktimave. Kizhevaku është varreza e pestë masive e zbuluar në Serbi deri tani.

Varreza më e madhe masive ishte ajo e Batajnicës, ku në kamionin-frigorifer u gjetën rreth 100 kufoma të të vrarëve. Të tjerë trupa u gjetën në liqenin Peruçac, po ashtu në një kamion-frigorifer, ndërsa një varrezë masive prej 61 trupash u zbulua në Petrovo Selo.

Rrëqethëse ishte dëshmia e një ish-shoferi të ushtrisë serbe për mediat e këtij shteti për mënyrën se si ishte organizuar transporti i kufomave.

“Unë duhet të udhëtoja gjithnjë natën nga Kosova në Bor. Në urdhër thuhej vetëm Konfidencial!’. Shumë shpejt e kuptova se po transportoja viktima”, pati thënë ai.

Janë të paktë përgjegjësit në Serbi që janë dënuar për krimet mbi shqiptarët, ndërkohë që autoritetet e këtij shteti vazhdojnë të përsërisin se kushdo që ka kryer krime duhet të dënohet.

Kodra artificiale për ta mbuluar mizorinë

Dikush që nuk e ka vizituar Kizhevakun më herët tani mund ta përshkruajë si vend malor-kodrinor. Por, njëzet e një vjet më parë nuk ishte i tillë. Ishte një hapësirë e rrafshët ku bëheshin gërmime nën tokë, por nuk kishte ndërtime përmbi.

Shtëpi banimi ka në një pjesë të konsiderueshme të rrugës. Shtëpitë janë relativisht të vjetra, që tregon se edhe në vitin 1999, kur besohet se janë bartur viktimat, ata njerëz banonin aty. Nëpër rrugën pranë shtëpive të tyre kanë kaluar automjetet me trupat e viktimave që më pas janë dërguar në zonën ku janë varrosur. Një pjesë e rrugës që çon te vendi i krimit është e asfaltuar e pastaj fillon rruga makadam, e cila duket se nuk ka ekzistuar më herët, por është krijuar pasi kanë filluar gërmimet për varrezë masive.

Rreth e për qark vendit ku po kryhen gërmimet ka shkurre. Ka edhe pjesë gurore. Gërmimet e kanë kthyer këtë sipërfaqe në zonë gropa-gropa, pa konstrukt të rregullt. Ajo që bie në sy është një kodër e madhe. Karshi saj është gropa ku po bëhen gërmimet. Edhe kjo gropë para pesë vjetësh, kur nisën gërmimet, ishte kodër po aq e lartë sa kodra tjetër.

Askush nuk kishte dhënë detaje se ku ishte pika zero para vitit 1999.

Gërmimet kishin përfunduar me idenë që është arritur në pikën zero, por kodra artificiale që ishte krijuar pasi që viktimat janë dërguar aty ishte shumë më e lartë sesa mendohej.

Eshtra nuk ishin gjetur, e punët ishin ndaluar pa e zbardhur fatin e njerëzve, trupat e të cilëve ishin aty.

Dështimi në identifikim, në vitin 2015, ka ndryshuar kahun në vitin 2020.

Identifikimi i këtij lokacioni u bë pas kërkesës së EULEX-it për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri, të vitit 1999, të cilat i siguroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nëpërmjet Departamentit Amerikan të Shtetit.

Image

Pamjet satelitore dëshmonin një tjetër pikë minimale në të cilën gjendej kjo zonë para 21 vjetësh.

Gërmimi nisi përsëri, shumë më poshtë sesa ku mendohej pika zero.

Kur u arrit në pikën fillestare të vitit 1999, gërmimi vazhdoi edhe për disa metra nën dhe.

Autoritet e atëhershme të Serbisë kishin hapur gropë me thellësi 4 metra dhe i kishin hedhur aty viktimat.

Gropa ishte mbyllur, e mbi gropë është hedhur sasi e madhe e dheut dhe mbeturina gurore, duke e ndryshuar terrenin nga fushë në kodrinë.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, e kujton dallimin se si ka ndryshuar terreni në këtë pjesë për këtë gjysmë dekade.

“Ka qenë një mal prej gurishteve dhe mbeturinave të minierës së Kizhevakut. Është punuar çdo vit në lokacione të ndryshme. Pjesa më e vështirë ka qenë pjesa ku është dashur të lëshohemi, sepse ka pasur edhe ujë në atë kohë kur kemi punuar”, thotë ai.

Nuk dihet ende eshtrat e sa kufomave i ka mbajtur për dy dekada miniera e Kizhevakut.

Supozohet që janë 15-17 kufoma që do të identifikohen. Fshati Rezallë i zonës së Drenicës është vendi prej nga dyshohet që janë bartur kufomat, por deri në identifikimin dhe krahasimin e analizave të ADN-së asgjë nuk mund të thuhet me siguri.

Procesi i ndërlikuar i zhvarrimit

Provat për transferimin e kufomave nga Kosova në Serbi dhe varrosjen e tyre në varreza të fshehta u prezantuan në dy raste para Tribunalit të Hagës.

Kjo gjykatë është marrë me “strategjinë e fshehjes së kufomave” në gjykimin e ish-zëvendëskryeministrit jugosllav, Nikolla Shainoviq, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të ushtrisë dhe policisë, si dhe në procesin gjyqësor kundër ish-shefit të resorit të Sigurimit Publik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Vllastimir Gjorgjeviq. Deri më tani është vetëm një rast kur për transportin dhe fshehjen e kufomave është dënuar dikush.

Gjorgjeviqi në vitin 2001 është dënuar me 27 vjet burgim për krime lufte në Kosovë. Ai është personi i vetëm që është inkriminuar në transferimin e trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës në varre masive. Dënimi i tij ishte zvogëluar në 18 vjet dhe ai aktualisht po e vuan atë në një burg në Gjermani.

Gërmimet dhe puna në Kizhevak janë larg nga të përfunduarit, thotë koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

“Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjenden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha Nikolov.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike punimet në Kizhevak janë ndërprerë të premten. Shiu i madh që ka rënë në zonën ku gjendet varreza e ka bërë të pamundur vazhdimin e gërmimit.

Nga Kizhevaku, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i ka thënë KOHËS se gërmimet do të vazhdojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Vendi është konservuar, pjesët kockore që kanë qenë në dukje i kemi tërhequr në tendë, është kryer obduksioni i tyre dhe janë marrë mostrat për analizë të mëtutjeshme të ADN-së. Andaj, duke marrë parasysh se kushtet atmosferike, si armiku më i madh i yni nuk na lejuan të vazhdojmë më tutje, po planifikojmë të premten si ekip profesional ta ndërpresim punën”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Gjatë së mërkurës është ndërtuar një çati për ta mbrojtur hapësirën ku gjenden mbetjet mortore, të cilat dyshohet se u takojnë shqiptarëve të Kosovës.

Mirëpo, Bajram Çerkinaj nga shoqata “Zëri i Prindërve” është shprehur i pakënaqur që gjatë dy javëve sa zgjatën punimet nuk iu mundësua familjarëve të të pagjeturve që t’i shohin gërmimet.

“Çështja është që të shkohet dhe një familjar të shohë se çka ka ndodhur. Të shkohet me pesë ose gjashtë familjarë, nga pesë ose gjashtë komuna dhe kishte mjaftuar për ta parë vendin. Në Rudincë kemi shkuar dy ose tri herë me nga pesë apo gjashtë persona, mirëpo nuk i kemi penguar askujt, tash po i pengojmë, diçka nuk është shumë në rregull”, ka thënë Çerkinaj.

Ai dyshon se Serbia nuk po dëshiron që familjarët ta shohin vendin, siç thotë Çerkinaj, të krimit. “Nuk na kanë lejuar që të shkojmë dhe t'i shohim ku i kanë hedhur trupat e më të dashurve tanë, sepse secili prind mendon se është një trup i fëmijës të tyre, pavarësisht a gjenden dy, tre apo 25 trupa edhe pse ne e dimë që atje kanë shkuar mbi 400 persona deri në Rudnicë, por ku i kanë shpërndarë është diçka tjetër”, ka shtuar Çerkinaj.

Mjeku ligjor, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se vizita e familjarëve ka qenë e planifikuar për këtë javë, por, sipas tij, këtë e ka pamundësuar moti i lig. Kjo vizitë, sipas Gërxhaliut, do të realizohet vitin e ardhshëm, kur të vazhdojnë gërmimet dhe të ketë gjetje më të mëdha të mbetjeve mortore.

Deri në rifillimin e gërmimeve, për familjarët do të vazhdojë agonia e pritjes për një shenjë të më të dashurve të tyre, të rrëmbyer dhunshëm 21 vjet më parë.