Arbëri

Hoti: Situata me COVID-19 nuk pritet të përmirësohet

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me odat ekonomike në një konferencë për media tha se kanë diskutuar rreth ligjit për rimëkëmbje.

“U dakorduam për ridizajnim të masave kundër COVID-19. Pika kryesore ka të bëjë me masat anti-Covid. U dakorduam të punojmë bashkë për pakon e re të rimëkëmbjes ekonomike dhe të finalizojmë masat për një pako të tretë fiskale që të bëhet në janar. Pika kryesore e diskutimit ka të bëjë me masat antiCovid. Masat që janë në fuqi që janë miratuar më 11 nëntor dhe kanë dhënë efekt të kënaqshëm një rënie e lehtë dhe është parandaluar rritja dhe jemi stabilizuar”, tha Hoti.

Hoti tha se pas pak do t’i takojë profesionistët shëndetësorë për t’i rishikuar masat në detaje që duhet t’i ndërmarrin krahas gjendjes së re.

“Situata nuk pritet të përmirësohet sa i përket pandemisë dhe duhet të jemi gati me të gjithë skenarët”, tha Hoti duke shtuar se “brenga kryesore është që brenda një afati të shkurtër të rishikohet orari i kufizimit”.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike, në anën tjetër tha se pajtohen të ketë mbyllje nëse rritet rastet.

“Për çdo masë, çdo veprim për rimëkëmbje apo për situatë të kemi konsulta dhe diskutime siç i patëm sot. Ne pajtohemi që zvogëlimi i rasteve është kryesor, dhe kërkuam që të ketë mbyllje totale që do të ketë pasojat në ekonomi”, tha Rukiqi.

Sipas Hotit, deri të premten do të votohen në Qeveri masat e reja.

Sa i përjet situatës lidhur me postin e presidentit, Hoti ka thënë se janë dy rrugë: dakordim për zgjedhjen e të parit të vendit ose shkuarjen në zgjedhje.

“Strategjia për të dalë nga kjo situatë është Kushtetuta e vendit, janë dy rrugë, ka konsensus për zgjedhjen e presidentit mirë, nëse jo shkojmë në zgjedhje”, tha Hoti gjatë një konference për media, pas takimit me përfaqësues të bizneseve.

Hoti u ka bërë thirrje, partive politike që të ulën dhe të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhje. I pyetur nëse LDK-ja do ia kthejë votën PDK-së, për çështjen e presidentit, pasi PDK-ja e votoi Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, tha se nuk ka pasur asnjë kushtëzim me votë për këtë. Hoti tha se janë pranuar disa amendamente të propozuara në PDK-ja dhe asgjë më shumë.