Arbëri

Selimi: MD e angazhuar të finalizojë çdo proces për sistemin e drejtësisë

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në takimin e ftuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Siç njofton kumtesa për media, Selimi së bashku me përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë kanë diskutuar rreth institucioneve përgjegjëse të Sektorit të Drejtësisë, të lidhur me adresimin e rekomandimeve të dala nga Raporti i Progresit i vitit 2020.

Ai ka thënë se pavarësisht agjendës së ngjeshur legjislative, Ministria e Drejtësisë i ka kushtuar kujdes të veçantë sfidave të dala nga Agjenda Evropiane, duke punuar vazhdimisht në avancimin e legjislacionit penal, legjislacionin kundër korrupsionit, kodifikimin e legjislacionit të fushës civile. Selimi ka përmendur edhe, siç u shpreh ai, nismat të cilat janë ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë, të rëndësishme jo vetëm shkaku i rekomandimeve por për gjithë sistemin e drejtësisë, përfshirë, Procesi i Rishikimit funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, Strategjia për Sektorin e Sundimit të Ligjit, Projekt Kodit i Procedurës Penale, Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës.

“Procesi i Rishikimit funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit - është afër finalizimit, proces ky që pritet të reformojë sektorin e Sundimit të Ligjit duke filluar nga viti 2021. Aktualisht jemi në konsultime shtesë me akterët kyç të sistemit të drejtësisë. Strategjia për Sektorin e Sundimit të Ligjit, si pjesë e Rishikimit Funksional të Sektorit është finalizuar dhe do të procedohet fillimisht për konsultime, dhe pastaj për miratim në Qeverisë, për çka Ministria e Drejtësisë është duke mbajtur takime intensive me institucionet e pavarura me qëllim të finalizimit të suksesshëm të këtij procesi”, tha Selimi.

Po ashtu Ministri Selimi, ka folur edhe për Legjislacionin Penal dhe Civil, ku ka potencuar ndryshimet që janë bërë në Projekt Kodin Procedurës Penale dhe Projekt Kodin Civil.

“Projekt Kodi i Procedurës Penale, është finalizuar ku ndër çështjet kryesore të plotësuara dhe ndryshuara në draft Kodin e Procedurës Penale vlen të ceket se janë shtuar dispozita të reja lidhur me Pezullimin e Zyrtarëve të Lartë Publik, për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, për çka kemi marrë edhe opinion nga Komisioni i Venecias”, tha Selimi.

Selimi theksoi se mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar dhe për të dhënë sqarime shtesë, lidhur me çështjet qe janë shtruar për diskutim dhe ka bërë thirrje që të miratohet Projekt Kodin Civil, i cili vlerësohet si akti më i rëndësishëm pas Kushtetutës si dhe Projektligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës që ka për qëllim kryesor rregullimin e fitimit të së drejtës pronësore nga shtetasit e huaj.