Arbëri

COVID-19 në Polici: 12 të vdekur, mbi 1 mijë të infektuar

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë, Samedin Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë ka treguar se 12 zyrtarë policorë kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërsa mbi 1 mijë janë infektuar. Ndër të tjera, ai ka përmendur se gjatë kësaj periudhe është rritur edhe numri i rasteve të dhunës në familje. Ai ka pasur përplasje me disa nga anëtarët e Komisionit, pasi disa nga pyetjet dhe komentet e tyre i ka quajtur joetike e joprofesionale

Dymbëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë humbur betejën nga sëmundja COVID-19 dhe mbi 1000 janë infektuar që nga fillimi i pandemisë, në mars. Kështu u tha në Komisionin për Çështje të Sigurisë, ku raportoi Samedin Mehmeti, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Mehmeti ka sqaruar se nga 19 vrasje, sa ishin në vitin 2019, këtë vit kjo shifër është rritur në 25. Sipas kreut të Policisë, përveç vrasjeve është rritur edhe numri i rasteve të dhunës në familje. Ai ka bërë të ditur se gjatë aktiviteteve policore në parandalim të krimeve të rënda janë realizuar 566 operacione, 939 bastisje, si dhe 65 plane operative.

“Numri i vrasjeve gjatë kësaj periudhe ka shënuar rritje nga 19 vitin e kaluar këtë vit i kemi 25. Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar rritje për 6.86%. Në muajin shtator policia ka regjistruar 221 protesta dhe tubime dhe krahasuar me periudhën paraprake vërehet një rënie. Gjatë kësaj periudhe në kuadër të aktiviteteve policore në parandalim të krimeve të rënda janë realizuar 566 operacione të ndryshme, 939 bastisje, si dhe 65 plane operative”, ka theksuar Mehmeti.

Nga Policia e Kosovës e mohojnë që masat anti-COVID nuk janë zbatuar nga ta, ndonëse në takim ishte anëtari i Komisionit parlamentar Mefail Bajqinovci, i cili theksoi se ishte vetë kryeministri Hoti që ka deklaruar se zyrtarët policorë nuk po i respektojnë masat anti-COVID.

Mehmeti në përgjigjen e tij ka thënë se nuk është në dijeni për deklaratën e kryeministrit Hoti, madje mohoi se Policia nuk ka respektuar vendimet e Qeverisë. Madje e ka quajtur joetike që t’i komentojë këto deklarata.

“Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë. Por ju kisha lut që të më kurseni nga komentet, ne i kemi zbatuar masat. Prej marsit të këtij viti kemi marrë masa dhe fatmirësisht nuk jemi afektuar operacionalisht. 293 pjesëtarë janë aktivë me COVID-19, 12 prej tyre nuk kanë arritur t’i përballojnë infektimit. Në izolim janë 234 pjesëtarë, 1143 janë infektuar”, ka bërë të ditur Mehmeti

Ndërkohë që Mehmeti nuk deshi të flasë për deklaratat e Hotit, dhe komentet e deputetëve i quajti joetike dhe profesionale, ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila i ka thënë atij se nuk është mirë që t’iu drejtohet deputetëve në këtë mënyrë.

“Të qenit ushtrues detyre nuk të amniston nga përgjegjësitë, dhe është e papranueshme që një u.d. të vijë në komision dhe të na tregojë çka është profesionale e joprofesionale”, ka thënë deputetja Musliu.

Më pas Mehmeti ka folur për rastet e raportuara nëpër media për veprat penale të vjedhjes dhe grabitjeve nga refugjatë të Sirisë. Ai ka sqaruar se këto vepra penale janë më shumë nga refugjatët e shteteve nga Algjeria dhe Maroku.

"Është e vërtetë që raportet policore thonë se refugjatët nga Siria kryejnë shkelje, dhe në shumicën e rasteve nuk janë nga Siria, por janë nga dy shtete, nga Algjeria dhe Maroku. Kemi raste që janë edhe sirianë, por këto rastet e grabitjeve që gjatë kësaj kohe të fundit kemi identifikuar kryesisht që i kemi arrestuar kanë qenë nga këto dy shtete që i përmenda", ka thënë ai.