Arbëri

Linja 400 kw Shqipëri-Kosovë përplas Ramën me opozitën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka vlerësuar linjën e interkoneksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë si një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve, me potencialin e rregullimit të tregut të energjisë mes dy shteteve dhe më gjerë se kaq në rajon. Ndërkohë që marrjen e kodit të transmetimit nga rrjeti evropian i operatorit të trasmetimit që çoi në pavarësinë e rrjetit të Kosovës, shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ia atribuon “Shengenit rajonal”.

Këto pohime Rama i ka bërë të hënën në Tiranë, gjatë fjalës së mbajtur në takimin online me rastin e nisjes së operimit të pavarur të Kosovës, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë, si dhe nisjes së transmetimit të linjës 400 kw mes dy vendeve.

Por ky pohim i kryeministrit Edi Rama ka hasur në reagimin e opozitës. Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-presidenti Bujar Nishani, ka reaguar me një shënim në faqen e tij në Facebook pas përfundimit të unifikimin të rrjetit energjetik Shqipëri-Kosovë.

“Honxhobonxho i Tiranës, çirak dhe peng i albanofobëve nuk i ndal sulmet ndaj shqiptarëve qëndrestarë dhe patriotë këtej dhe andej kufirit. Rrjeti energjetik Shqipëri-Kosovë u ideua, projektua dhe financua gjatë qeverisjes së kaluar. Serbofili i Tiranës injoron përpjekjet e Gjermanisë dhe fsheh albanofobinë e Serbisë! Tregtari i trojeve kombëtare të veriut të Kosovës, refuzon të falënderojë kancelaren Merkel dhe lajkaton “bosin” Vuçiq! Paditësi i turpshëm i kryeministrit të Kosovës mohon Evropën për të rilindur ‘Jugosllavinë e Re’! Fundi i tradhtarëve dihet, ata nuk fshihen kurrë nga kujtesa!”, shkruan Bujar Nishani.

Por kryeministri Rama autostradën energjetike Shqipëri-Kosovë ia dedikon Qeverisë së drejtuar nga vetë ai. “U desh viti 2014 që Qeveria e re, Qeveria jonë të fillonte zbatimin e këtij projekti madhor dhe e mbyllëm projektin ekzaktësisht në dy vjet, në vitin 2016. Por këtu sot, jemi pas 4 vitesh. 4 vite pas përfundimit të plotë të projektit, kujtoj që kam qenë i pranishëm së bashku me mikun tim Isa Mustafa, kur kemi lajmëruar përfundimin e projektit dhe linja nuk u vu në punë për një arsye që duhet thënë sot dhe që mbase u shërben atyre, të cilët në mënyrë të verbër kundërshtojnë përpjekjen tonë të vazhdueshme për të integruar qasjen ndaj të ardhmes së krejt rajonit. Arsyeja ishte vetoja e Serbisë”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Por për zgjidhjen e këtij ngërçi, sipas Ramës, ka dalë në ndihmë “Shengeni rajonal”. “Faktikisht, linja 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë mbeti peng i një formaliteti në kushtet e mungesës së një vullneti politik. Kosova për 4 vjet nuk mund të merrte një kod transmetimi nga rrjeti evropian i operatorit të transmetimit, sepse pala serbe pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit të Kosovës me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia. Ky është Shengeni rajonal. E përsëris, ky është Shengeni rajonal. Kështu zgjidhen problemet që kanë një rëndësi shumë të madhe dhe që mbeten peng i fjalëve të mëdha, i sherreve të mëdha, dhe i grandomanisë që rëndom i ka penguar shqiptarët të shohin përtej hundës së tyre”, tha Rama.

Sipas tij, fundi i kësaj historie përmes shtypjes së një butoni të vetëm, i jep jetë sot një hapësire të përbashkët të integruar energjetike mbarëshqiptare. “Një hapësirë e pavarur, në një treg sigurisht më të gjerë rajonal, që njëherazi është dhe një hallkë themelore e një sistemi edhe më të madh e të gjerë, siç është sistemi mbarevropian i transmetimit të energjisë. Vënia në operim e linjës 400kW do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm pozitiv në sigurinë e operimit të sistemit elektroenergjitik shqiptar dhe njëkohësisht do të rrisë konsiderueshëm kapacitetin e rrjetit interkonektiv të OST-së”, tha Rama.

Në vijim të fjalës së tij , kryeministri Edi Rama ka sjellë një shembull nga libri i historianit të njohur Bernd Fischer rreth Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ku tregohet në detaj sesi interesat e tregut kishin bashkuar në një hapësirë të vetme Shqipërinë dhe Kosovën, nën sovranitetin e atëhershëm italian.

“Ishte periudha kur Shqipëria dhe Kosova jepnin e merrnin në mënyrë reciproke, Kosova mbulonte nevojat e Shqipërisë për produktet bujqësore, Shqipëria mbulonte nevojat e Kosovës për produkte blegtorale. Kosova mbulonte nevojën e Shqipërisë për qymyr, Shqipëria mbulonte nevojën e Kosovës për krom, hekur, e kështu me radhë. Sot ndodh ekzakt e njëjta gjë. Shqipëria sot gjeneron 97% të energjisë së saj nga hidrocentralet e Kosova gjeneron 97% të energjisë së saj nga termocentralet. Mjafton të shohësh të dy pamjet e të njëjtës medalje për të kuptuar se çfarë rëndësie strategjike ka kjo që sot është kthyer në realitet, integrimi i rrjetit dhe ndërveprimi në linjë 24 orë 24 i OST me KOSTT dhe faktikisht, kjo do të thotë që ne sot jemi reciprokisht më të fuqishëm nga pikëpamja e kapaciteteve dhe për sa na takon si Shqipëri, duke qenë se kemi një nivel kaq të lartë të prodhimit të energjisë së pastër, e cila në Evropë përdoret për të ekuilibruar kuotat e karbonit, hapet perspektiva edhe përmes kësaj linje, por edhe përmes atyre investimeve, qoftë Skavica, qoftë dy parqet e mëdha fotovoltaike që janë në proces, për të mundur që të eksportojmë”, tha Rama.

Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, të dyja sistemet si në Shqipëri e në Kosovë nuk janë fleksibël. “Në Kosovë dihet botërisht, sistemi ka një kosto operacionale veçanërisht të lartë, rrjeti varet ekskluzivisht nga termocentralet dhe njësoj si me Shqipërinë, ku nuk ka fleksibilitet për shkak se gjithë energjia e prodhuar ka si bazë ujin, në Kosovë nuk ka fleksibilitet, për shkak se baza e prodhimit është ajo e termos”, tha ai.