Arbëri

Brezovica me plot vizitorë që nuk i respektonin masat anti-COVID

Kolona të gjata janë parë këtë të diel në hyrje të Brezovicës. As numri i madh i të infektuarve me COVID-19 nuk i ka ndalur qytetarët për të dalë në këtë vend turistik. Pa asnjë masë mbrojtëse shumë qytetarë e kanë kaluar kohën këtë të diel në Brezovicë. E reagimet e shumta i kanë shtyrë Policinë e Inspektoratin të kthejnë shumë prej atyre që me vetura ia kishin mësyrë Brezovicës

Brezovicë, 13 dhjetor - Ndonëse kohë pandemie, e diela nuk dallonte nga ato të para pandemisë në Brezovicë. Kolona të gjata automjetesh ngjiteshin përpjetës për te qendra e skijimit. Në hapësirën e kristalizuar nga bora e acari shiheshin grupe qytetarësh të ardhur nga mbarë Kosova.

Kafiteritë e restorantet ishin po ashtu plot me qytetarë, të cilët nuk i respektonin asnjë nga masat mbrojtëse. As mjegulla e madhe nuk i ndalonte që të mos ngjiteshin deri te pista e skijimit.

Në mesin e tyre ishte edhe Arsim Aliu, i cili kishte marrë rrugë nga Mitrovica për t’u relaksuar në këtë ambient të mbuluar nga dëbora. Edhe pse e ka parasysh numrin e madh të të infektuarve me COVID-19, Aliu nuk frikësohej nga turma e madhe e njerëzve. Ai është i bindur se ajri i pastër i Brezovicës do ta mbajë larg virusit.

“Nuk po frikësohemi pasi që këtu është ajri i pastër", ka thënë ai për KOHËN.

Njëjtë si Aliu kanë vepruar edhe shumë qytetarë të tjerë. Pa asnjë masë mbrojtëse, ata kanë kaluar vikendin në këtë vend turistik. “Kemi shfrytëzuar vikendin që të dalim pak për tu shëtitur. Nuk jam duke u frikësuar aspak nga virusi”, ka thënë Vjollca Shyti.

Daljen masive të qytetarëve në këtë resort turistik një tjetër qytetar e arsyetonte me stresin dhe mërzinë nga të qëndruarit mbyllur në shtëpi.

“Na jena dalë me heq stresin, për shkak të pandemisë që kemi nejtë mbyllur, ndonëse ishte shumë e ngarkuar”, ka thënë ai pa dashur të identifikohet.

Hiç më pak vizitorë se të dielën nuk pati as gjatë ditës së shtunë në Brezovicë.

Në rrjetet sociale janë publikuar fotografi të dhjetëra autobusëve e qindra veturave, që në mënyrë të organizuar kanë shkuar në Brezovicë e në Prevallë.

Pamjet tregonin qindra të rinj që nuk i respektonin as masën e as distancës, por as nuk mbanin maska.

Por të dielën Policia e Kosovës, rreth orës 14:00, bashkë me Inspektoratin dolën në Brezovicë dhe i detyruan vizitorët të ktheheshin prej nga kishin ardhur. Ata nuk e gjobitën asnjërin.

Agim Gashi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Ferizajt, i ka thënë KTV-së përmes telefonit se zyrtarët policorë bashkë me inspektorët janë duke i ndërmarrë të gjitha masat në bazë të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së pandemisë.