Arbëri

MASH-i nuk tërhiqet nga vendimi për studentët e Mjekësisë, Rektorati zotohet se nuk do ta zbatojë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e ka ndërmend ta tërheqë vendimin për rritjen e numrit të studentëve në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, ndonëse është në kundërshtim me vendimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

AKA ka lejuar që në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme të mos ketë më shumë se 150 studentë. Ndërkohë ministri Likaj më 19 nëntor nxori vendim që të pranohen edhe 50 studentë të tjerë.

Këshilltarja e ministrit, Diellza Kukaj, në një përgjigje me shkrim ka thënë se mbetet në vullnetin e UP-së që t’i përgjigjet kërkesës së Likajt dhe nuk ka komentuar faktin që ky vendim është në kundërshtim me Ligjin për arsimin e lartë.

“Ne si MASh jemi të gatshëm t’i përgjigjemi cilësdo kërkesë të UP-së në mbështetje dhe rritje të kapaciteteve brenda mundësive. Përfundimisht e tërë procedura duhet të kalojë dhe të vendoset nëpër organet e Fakultetit të Mjekësisë, UPHP dhe Agjencisë së Akreditimit. Ky vendim është marrë si përgjigje ndaj nevojës për profesionistë shëndetësorë, mjekësia është specifike, prandaj ne ju kemi dhënë përgjigje pozitive”, thuhet në përgjigjen e saj.

E Rektorati në një përgjigje të shkurtër ka theksuar se qëndrimet e menaxhmentit të UP-së tashmë janë publike dhe nuk kanë çfarë të shtojnë.

Rektori Naser Sahiti pati deklaruar se UP-ja nuk do ta zbatojë vendimin e ministrit Likaj, meqë, sipas tij, është në kundërshtim me vendimin e Agjencisë së Akreditimit.

Edhe dekania e Fakultetit, Suzana Manxhuka-Kërliu, e kritikoi këtë vendim duke thënë se mund të penalizohen nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë duke mos e akredituar vitin e ardhshëm drejtimin Mjekësi e Përgjithshme.

Ndërkaq drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, ka bërë thirrje që të mos ketë më ndërhyrje në agjenci.

“Çdo proces i cili mund të konsiderohet si ndërhyrje në pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit mund të ndikojë negativisht në anëtarësimin tonë”, ka shtuar Gashi.

Likaj këtë vendim e ka marrë javë më parë pas kërkesës që e bëri ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të ketë rritje të numrit të studentëve në Mjekësi. As Zemaj nuk e pati konsideruar këtë kërkesë si ndërhyrje në Agjenci.