Arbëri

Njerëz të LDK-së pjesë e komisionit përzgjedhës për kreun e SHSKUK-së, kandidon këshilltari i Zemajt

Për ta drejtuar institucionin më të rëndësishëm spitalor në vend - Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës pretendentë janë figura që janë të lidhura me politikën. Garës për drejtor të këtij institucioni i është futur, Saudin Maliqi, pjesë e LDK-së e këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Siç ka mësuar KOHA, në mesin e katër kandidatëve që deri tani kanë konkurruar për të marrë drejtimin e SHSKUK-së, përveç Maliqit janë edhe Gani Halilaj, pjesë e PDK-së, Driton Ukmata ish-këshilltar i ish-drejtorit Basri Sejdiu i zgjedhur në kohën kur ministër ishte Uran Ismaili, e kandidatja e katërt është Gloria Staka.

Maliqi është pjesë e kabinetit të Zemajt prej kur ai e ka marrë postin. Drejtori i SHSKUK-së zgjidhet nga një komision i cili formohet nga bordi i SHSKUK-së.

Pjesë e këtij komisioni janë së paku dy njerëz të afërt me LDK-në, e cila udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë. Këshilltari i Armend Zemajt, Diellor Rizaj, është pjesë e komisionit përzgjedhës, ku ka konkurruar kolegu i tij këshilltar, Saudin Maliqi. Rizaj i kontaktuar nga KOHA, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, ndërsa ka thënë së do të përgjigjet ditën e hënë. Në cilësinë e këshilltarit të ministrit ai është emëruar anëtar i bordit të SHSKUK-së, nga ministri Zemaj.

Vjollca Kadolli Halili, ka qenë asambliste e LDK-së në Viti. Është zgjedhur anëtare e bordit të SHSKUK-së në Qeverinë Hoti. Kadolli po ashtu është pjesë e komisionit për përzgjedhjen e drejtorit të SHSKUK-së. KOHA nuk ka arritur të sigurojë një qëndrim të Kadollit.

Burimet i kanë thënë KOHËS, se po bëhet presion që procesi i përzgjedhjes së drejtorit të bëhet në mënyrë të përshpejtuar. As ministri Zemaj e as këshilltari i tij, Saudin Maliqi nuk kanë qenë të qasshëm në telefon gjatë ditës së shtunë.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, në nenin 18 ua ndalon zyrtarëve të lartë që pas përfundimit të funksionit publik, të mund të marrin pozita menaxhuese në institucionet vartëse, dy vjet pas përfundimit të mandatit.

SHSKUK-ja ka buxhet vjetor rreth 120 milionë euro. Dy drejtorët e mëhershëm të këtij institucioni nuk kanë përfunduar mandatet. Basri Sejdiu është shkarkuar disa muaj më herët, e Curr Gjocaj ishte dorëhequr në vitin 2017. Atëkohë Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga Uran Ismaili i PDK-së.