Arbëri

Qeveria kërkon përjashtimin e gjyqtares që vendosi për padinë e Rashit Qalajt

Descriptive Text

Joobjektive e ka cilësuar Qeveria e Kosovës gjyqtaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Saranda Bogaj-Sheremeti, e cila vendosi ta bllokojë zgjedhjen e drejtorit të Policisë së Kosovës pas padisë së ish-drejtorit Rashit Qalaj.

Qeveria e ka deponuar të hënën në Gjykatën e Apelit ankesën për këtë vendim të Themelores.

Qeveria ka kërkuar që të përjashtohet nga rasti gjyqtarja e cila vendosi që të pezullohet konkursi për drejtor të ri të policisë, derisa gjykata të vendosë për padinë e Qalajt. Në padi ai është ankuar se Qeveria ka shkelur procedurat në procesin e shkarkimit të tij.

Në 13 faqe, Qeveria e Kosovës e ka përmbledhur ankesën drejtuar Apelit. Ajo e ka vlerësuar vendimin e Themelores si tendencë për t’ia ruajtur vendin e punës ish–drejtorit dhe se kjo, siç thuhet në ankesë, do ta cenonte interesin publik dhe zinxhirin komandues. Një argument tjetër i Qeverisë është raportimi në një portal nga burime anonime para se të mbahej seanca, se Themeloja do të vendoste pro Qalajt.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, nuk u është përgjigjur telefonatave të KOHËS për këtë çështje, e gjyqtarja Bogaj-Sheremeti ka qenë e paqasshme.

Dhjetë ditë më parë, Gjykata Themelore vendosi për masën e sigurisë kërkuar nga ish-drejtori Qalaj deri në përfundimin e procedurës gjyqësore për rastin e tij me aktgjykim të formës së prerë.

Kryeministri Hoti e shkarkoi Rashit Qalajn nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë më 16 tetor, një javë pasi Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë në Pejë, e arrestuan kryetarin e Istogut, që është edhe nënkryetar i LDK-së, Haki Rugova.