Arbëri

Zyrtari i lartë i LDK-së është kundër koalicionit me PDK-në: Duhet ruajtur parimet bazë

Descriptive Text

Ish-deputeti dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Naser Rugova, është kundër koalicionit me PDK-në dhe pazareve për postin e presidentit.

Ai përmes një postimi në Facebook të premten, ka thënë se në politikë duhet ruajtur parimet bazë, duke iu referuar qëndrimeve të partisë së tij para zgjedhjeve të fundit ku doli me qëndrimin se me PDK-në nuk do të bëjë koalicion.

“Në politikë duhet ruajtur parimet bazë! Jam kundër koalicionit me PDK dhe kundër pazareve me postin e presidentit! Po nuk u arrit konsensusi i nevojshëm për një president konsensual me kredibilitet moral, intelektual dhe që na përfaqëson dinjitetshëm, atëherë duhet kthyer vendimi te vullneti i sovranit!”, ka shkruar Rugova.

Në fakt, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka kohë që ka hapur dyert e bashkëpunimit me PDK-në, duke thënë se kësaj partie i takon posti i presidentit, i mbetur bosh pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Postin e presidentit me ngulm po e kërkon edhe partneri qeverisës i LDK-së, AAK-ja për kreun e saj, Ramush Haradinajn.