Arbëri

Hedhet poshtë ankesa e Gucatit për kundërshtimin e arrestimit të tij dhe kërkesa për lirim me dorëzani

Paneli i Gjykatës së Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara ka hedhur poshtë apelin e parashtruar nga kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kundër vendimit të Gjykatësit të Vetëm, mbi ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe po ashtu kërkesën e tij për lirim me dorëzani.

Gucati kishte kontestuar arrestimin e tij e po ashtu edhe vazhdimin e paraburgimit të tij, duke kërkuar lirim me dorëzani.

Paneli i Gjykatës së Apelit e ka hedhur poshtë apelin në tërësi të Gucatit.

"Më 9 dhjetor 2020, Paneli i Dhomës së Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës hodhi poshtë apelin e parashtruar nga Hysni Gucati kundër vendimit të Gjykatësit të Vetëm mbi ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe kërkesën për dorëzani", thuhet në njoftimin e Speciales. 

Ndërkohë gjykatësi i procedurës paraprake ka marrë shënim se pasi Gucatit dhe Nasim Haradinajt i është rishqyrtuar së fundi paraburgimi më 27 tetor, sipas rregulloreve duhet shqyrtohet sërish më 27 dhjetor, pra maksimalisht dy muaj pas shqyrtimit të fundit.

Kështu që për këtë arsye, gjykatësi i procedurës paraprake, ka kërkuar nga palët që të dorëzojnë kërkesat me shkrim, deri më 18 dhjetor, nëse arsyet për vazhdimin e paraburgimit të Gucatit dhe Haradinajt, ende ekziston apo duhet anuluar.