Arbëri

VV-ja thotë se do ta padisë Serbinë në GJND për gjenocidin e kryer në Kosovë

Foto: Koha / ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se me të marrë sërish pushtetin në vend do ta padisë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare për Drejtësi (GJND) për gjenocidin e kryer në Kosovë.

VV-ja ka thënë se pa ndëshkimin e krimeve të luftës, nuk mund të ketë as qetësi e as paqe të qëndrueshme.

Sipas VV-së, krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit kujtojmë gjenocidin e fundit të Serbisë ushtruar ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99. Mbi 13 mijë civilë të vrarë, 1643 ende të pagjetur, 20 mijë gra të dhunuara, dhe më shumë se 1 milion të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, janë shifra që kanë shtyrë përplot studiues të deklarojnë se ky është gjenocidi i dytë më i rëndë pas atij të nazizmit. Ne nuk harrojmë e as nuk do të qëndrojmë pasiv duke pritur që Serbia një ditë ta njeh të kaluarën e saj kriminale e të na kërkoj falje. Prioritet i Qeverisë sonë të re do të jetë padia për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne nuk i kemi asgjë borxh asaj, e ajo na ka shumë neve”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook.