Arbëri

Cakaj: Serbia s’mund t’i zhbëjë krimet makabre të kryera në Kosovë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, në një postim sot në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, ka thënë se Serbia nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera në Kosovë.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, kujtojmë e nderojmë çdo viktimë të pafajshme të praktikave gjenocidiale në botë. Natyrisht, sot kujtojmë veçanërisht viktimat e gjenocidit të ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë. Fatkeqësisht, Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje ende, për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur trupat e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit. Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t'i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë. Përkushtimi për një të ardhme paqësore nuk nënkupton edhe harresën e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Përkundrazi! Nderimi i viktimave, kërkim-falja nga ana e Serbisë e zbardhja e plotë e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme”, ka shkruar Cakaj në Facebook.