Arbëri

Shasha: Raporti për dezinformimin nuk paraqet qëndrimin e BE-së

Demush Shasha nga Instituti EPIK ka thënë se raporti i fundit i BE-së nuk paraqet qëndrimet politike dhe administrative të Parlamentit Evropian.

Ai në DESKU-n e KOHËS ka thënë se raporti duhet parë në kontekst të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian, të marrjes së masave lidhur me dezinformimin.

Sipas tij, në prill të këtij viti PE e ka miratuar një rezolutë e cila ka shtruar rrugë për një agjendë më intensive për të luftuar dukurinë e dezinformimit dhe për të fuqizuar proceset demokratike në Ballkan dhe kudo në botë.

“Duke pas parasysh rëndësinë e dezinformimit, në prill patëm një sesion të veçantë të komisionit për punë të jashtme i cili e diskutoi çështjen e dezinformimit në mbarë botën me përfaqësuesin e lartë për politikën e jashtme”, ka thënë ai.

Ai thotë se studimi që u publikua javën e kaluar duhet shikuar si dokument pune, i cili është metodologji e zakonshme e punës së PE, ku parlamentarët nuk janë ekspertë të çështjeve të ndryshme, prandaj kërkojnë një studim nga ekspertë.

“Studimi përkundër që është dokument zyrtar i Parlamentit Evropian nuk paraqet qëndrimet politike apo administrative të PE-së, ato janë qëndrime të autorëve. Këtë duhet parë si dokument që do të informojë euro deputetët për këtë çështje”, ka thënë ai.

Shasha thotë se nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e tij sepse raportet e tilla gëzojnë respekt të madh nga institucionet.

Sipas tij, ato përfaqësojnë një objektivitet akademik rreth një çështjeje të caktuar dhe në këtë drejtim ky raport ka informuar për çështjen e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor.

“Konsideroj që raporti është i saktë dhe i shpjegon mirë proceset që kanë ndodhur me aktivitetet e dyshimta që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.