Arbëri

Kosova nuk e njeh fitoren e Maduros në Venezuelë

Descriptive Text

Shteti i Kosovës i ka cilësuar të manipuluara zgjedhjet e fundit në Venezuelë. Në një njoftim në Twitter, faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se nuk e njeh fitoren e Nicolas Maduros në “zgjedhjet e manipuluara”.

31 për qind e 20 milionë qytetarëve me të drejtë vote votuan të dielën, në Venezuelë, ku opozita bojkotoi zgjedhjet të cilat i cilësoi “farsë” për të forcuar diktaturën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian e shumë shtete të tjera të Amerikës Latine kanë thënë se nuk e njohin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Venezuelë. Këtij qëndrimi i është bashkuar edhe Kosova.

“Kosova i bashkohet SHBA-së, BE-së dhe aleatëve tjerë në kundërshtimin e fuqishëm të regjimit të Maduros, pas manipulimit në zgjedhjet e fundit, që nuk shprehin vullnetin e popullit të Venezuelës”, thuhet në postimin e MPJ-së në Twitter.

Në zgjedhjet e fundit, Maduro fitoi 68.9 për qind.

Maduro është president i Venezuelës që nga viti 2013, kur vdiq Hugo Chavez.