Arbëri

Edicioni i veçantë i së dielës në “Koha Ditore” u kushtohet viktimave të abuzimit seksual

“Të miturit, viktima të abuzimit seksual” është kryetema e javës këtë të diel në KOHA DITORE. Në faqet kryesore mund të lexoni për rastet e shfrytëzimit dhe keqpërdorimit nga persona kryesisht të shtyrë në moshë, për rritjen e shifrave të këtyre rasteve gjatë këtij viti dhe për drejtësinë jofunksionale që nuk i dënon kryesit e këtyre veprave.

Në faqet e intervistës, hulumtuesja e “Rrjetit të Grave të Kosovës”, Adelina Berisha, flet për mungesën e mbështetjes institucionale për viktimat e dhunës seksuale.

Rrëfimi i Feride Rushitit, aktivistes së të dhunuarave të luftës, e cila përmes qendrës së saj rehabilituese për viktimat e torturës mori edhe mirënjohje ndërkombëtare, paraqitet në dy faqe të kësaj javoreje.

Rubrika e botës shpërfaq rrëfimin e Italisë, shtetit që po përballet me dy pandemi, COVID-19-shin dhe mafien. Kultura sjell tregimin e fotografes Abi Shehu, e cila përmes fotografisë përshkruan lëmshin dhe realitetin konfuz të cilin ajo dhe të tjerët e jetojnë.

Saraçi i fundit i Lipjanit, Ramadan Zogiani, flet në rubrikën “Monument’’ për zanatin që, sipas tij, ngadalë po shuhet duke mos u paguar, as respektuar.

Sporti flet për Remzo Mustafiq, boksierin 18-vjeçar që jeton në veri të Mitrovicës, që shpreson të arrijë në majat e boksit botëror, si dhe për futbollistin Gentrit Limani, i cili edhe më tutje pret debutimin e tij me skuadrën gjermane të Hamburgut.

Po ashtu, mund të lexoni edhe shumë artikuj të tjerë për filmin, muzikën, shëndetësinë e teknologjinë.