Arbëri

Amnistohen 87 politikanë mashtrues

Në zgjedhjet e vitit 2017, 87 kandidatë nuk kishin treguar se në tre vjetët e fundit ishin dënuar me vendim të formës së prerë. Duke e fshehur këtë informatë në formularin e certifikimit, u ishte mundësuar gara. Për mosndjekjen penale të tyre, në KQZ kanë drejtuar gishtin kah Prokurori i Shtetit. E në organin e akuzës kanë refuzuar të flasin

Seanca dëgjimore rreth kushtetutshmërisë së votës përcaktuese për zgjedhjen e Qeverisë Hoti e ka nxjerrë në pah faktin se në vitin 2017, kur janë mbajtur zgjedhjet nacionale dhe ato lokale, 87 kandidatë ishin amnistuar nga ndjekja penale. Sikurse para zgjedhjeve të fundit që Etem Arifi nuk kishte deklaruar se është i dënuar me vendim të formës së prerë, tre vjet më parë edhe këta kandidatë e kishin fshehur të njëjtën të dhënë thelbësore, që do t’ua pamundësonte kandidimin.

Në seancën e organizuar të mërkurën nga Gjykata Kushtetuese kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka arsyetuar certifikimin e Arifit, duke thënë se gjatë kohës së zgjedhjeve e kanë të pamundur ta verifikojnë nëse kandidatët i përmbushin kriteret për t’u certifikuar.

Por aty ka treguar se kandidatët janë të obliguar që në formularin që e plotësojnë ta theksojnë nëse kanë marrë dënim.

“Kandidatët kur kandidojnë e plotësojnë një formular dhe aty nënshkruajnë. Në njëfarë mënyre e vërtetojnë që të gjitha shënimet që i kanë dhënë janë të sakta. Pra, nga ata kërkohet që në qoftë se janë të dënuar ta shënojnë këtë në formular dhe të deklarohen se kanë një aktgjykim të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit”, ka thënë kryetarja Daka në seancë. “Neni 29 parasheh që një kandidat të mos jetë i dënuar. Pra kandidati duhet dhe e vërteton se të gjitha shënimet të cilat i ka dhënë janë të sakta”, ka thënë ajo.

Si aneks i Rregullores për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre është edhe formulari për certifikimin e kandidatit. Rubrika B e tij përmban hapësirën ku duhet dhënë deklarata me të cilën kandidati vërteton se i plotëson kriteret e kandidimit, të listuara në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

E pika “q” e këtij neni saktëson se nuk mund të certifikohet si kandidat kushdo që është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit.

Valdete Daka ka thënë se KQZ-ja nuk ka obligim që ta verifikojë nëse të dhënat e kandidatëve që shprehen në formular janë të sakta. Por, ka treguar se në vitin 2017, KQZ-ja me vetiniciativë ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që t’i ofrojë të gjitha aktgjykimet për kandidatët, bazuar në listën që ishte publikuar atëkohë.

“Ne kemi pasur reagime nga shumë njerëz dhe edhe nga opinioni publik në vitin 2017, ku na është thënë se ka në mesin e kandidatëve persona të cilët janë të dënuar dhe meqenëse asnjëri prej tyre në formularët e vet nuk e ka deklaruar këtë, ne atëherë jemi detyruar të kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor që të na i dërgojë të gjitha aktgjykimet e kandidatëve, të cilët kishin aplikuar”, ka thënë Daka. “Ka qenë e vërtetë ajo që në mesin e të gjithë kandidatëve 87 persona kanë qenë të dënuar me aktgjykime të plotfuqishme në tre vjetët e fundit, e të cilët këtë nuk e kanë deklaruar në formular”.

Për mashtrim dhe deklarim të rremë KQZ-ja nuk i kishte denoncuar tek autoritetet këta politikanë.

E, për këtë amnisti ndaj tyre, kryetarja Daka e ka hedhur fajin në Prokurori.

“Kjo ka qenë publike dhe nëse është ashtu, është vepër e cila ndiqet ex officio dhe çdo prokuror ka mundur t’i ndjekë penalisht”, ka theksuar Daka, sipas së cilës në proces prokurorët do të duhej ta kualifikonin veprën penale të konsumuar nga këta politikanë. “Unë nuk jam prokurore dhe nuk mund të ju them apriori se çfarë vepre, meqë duhet lexuar elementet e veprave penale për ta ditur se nga veprimet e tyre cila vepër penale del. Përndryshe, kjo më shumë është punë e prokurorëve”.

Në Zyrën e Prokurorit të Shtetit nuk kanë treguar arsyet e kësaj amnistie. KOHA ka adresuar pyetje në këtë institucion, por përgjigjet kanë munguar.