Arbëri

Rritet kapitali për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore

Nënshkruhet marrëveshja financiare për Rritje të Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore.

Drejtori i KfW-së për Evropë Juglindore e Turqi, Dr. Klaus Müller dhe drejtori menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha, kanë nënshkruar Marrëveshjen financiare për rritje të kapitalit garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në vlerë prej 5 milionë eurove.

Kjo mbështetje është duke u bërë nga Qeveria Gjermane për fuqizimin e kredidhënies të sektorit të biznesit në përgjithësi për të evituar pasojat e krizës si rrjedhojë e pandemisë COVID-19.

Linjat garantuese të cilat janë financuar në tërësi nga Qeveria Gjermane, me ndërmjetësim të Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW, tashmë mbështeten me kapitalin prej 18.5 milionë euro.

Kjo ngjarje shënon një moment të radhës për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, në rrugën e realizimit të objektivave institucionale, para se gjithash, lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë, rritjen e punësimit dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Shuma totale e kredive të miratuara nga bankat dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë në 220 milionë euro të shpërndara në mbi 5,865 kredi, ndërsa investimet e bëra me këto kredi premtojnë mbi 8,000 vende të reja pune.