Arbëri

Pas padisë së Qalajt, Gjykata “bllokon” zgjedhjen e drejtorit të ri

Descriptive Text

Dy shkelje ligjore përmban vendimi për shkarkimin e ish-drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo gjykatë e ka miratuar kërkesën e Qalajt për pezullimin e procesit të emërimit të drejtorit të ri. Sipas saj, ai nuk ka mundur të shkarkohet për performancë të dobët, pa iu dhënë paraprakisht vërejtje. Njëkohësisht, vendimi i kryeministrit Hoti nuk i ka dhënë Qalajt të drejtë ankese, gjë që, sipas gjykatës, është e jashtëligjshme

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, e ka fituar betejën e parë ligjore kundër Qeverisë Hoti.

Ai e ka paditur këtë institucion për shkarkimin e tij, ndërsa ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ta bllokojë procesin e emërimit të drejtorit të ri deri në vendimin përfundimtar për të.

Kërkesa e Qalajt për pezullimin e konkursit për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është miratuar.

Konkursi për drejtor të Policisë së Kosovës ishte në proces.

Seanca për masë të sigurisë mbi konkursin për drejtor të Policisë së Kosovës është mbajtur të mërkurën.

Gjykata e shkallës së parë në arsyetim ka numëruar disa shkelje, që, sipas saj, i ka kryer Qeveria Hoti, kur e ka shkarkuar Qalajn.

Një nga arsyet e përmendura nga kryeministri Hoti për shkarkimin e Qalajt ishte performanca, sipas tyre, e dobët. Por, sipas gjykatës, kontrata nuk mund t’i shkëputet dikujt për mungesë performance, nëse paraprakisht nuk i është dhënë vërejtje për performancë.

Gjykata gjeti se edhe me dispozitën e nenit 70 par.2 thuhet se punëdhënësi mund të ndërpresë marrëdhënien e punës në bazë të nën par 1.6 të par 1, në të cilin thirret edhe e paditura vetëm atëherë kur i punësuari ka marrë përshkimin në formë të shkruar të performancës së pakënaqshme , në një afat të përcaktuar kohor, brenda të cilit i punësuari duhet ta përmirësojë performancën e tij, si dhe një deklaratë se dështimi për përmirësimin e performancës do të rezultojë me largim nga puna pa asnjë paralajmërim të mëtejmë me shkrim.

Jashtëligjshëm, sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, Qeveria në vendimin për shkarkimin e Qalajt, ia kishte kufizuar atij të drejtën e ankesës kundër atij vendimi.

Gjykata ka gjetur se vendimi i nxjerrë nga kundërpropozuesja ishte në kundërshtim me nenin 86 të Ligjit të Punës, gjegjësisht par 3 të këtij neni, ku decidivisht thuhet "Vendimi i punëdhënësit duhet të bëhet me shkrim duke theksuar arsyetimin dhe këshillën për mjetet juridike ndaj masave të shqiptuara". Andaj gjykata vlerëson se kundërpropozuesja e kishte lënë propozuesin në mosdijeni lidhur me shfrytëzimin e mjeteve juridike, siç është në rastin konkret ankesa ndaj vendimit, sepse e paditura me veprimet e saj propozuesit i kishte mohuar të drejtën në ankesë, duke mos e njoftuar fare për një gjë të tillë.

Rashit Qalaj është shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Kosovës, më 18 tetor të këtij viti, nga kryeministri Hoti.

Shkarkimi i tij ishte bërë një javë pasi Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë në Pejë patën arrestuar kryetarin e Istogut, Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së. Ndërsa disa ditë më vonë Hoti pati shuar edhe Task- Forcën Kundër Korrupsionit në kuadër të Policisë, e cila kishte hetuar disa raste të profilit të lartë, përfshirë edhe raste ku pjesë e hetimit ishin zyrtarë të lartë të LDK-së.