Arbëri

SPRTK thotë se menaxhmenti po tenton kundërligjshëm të emërojë drejtorin e Financave

Descriptive Text

Sindikata e Pavarur e RTK-së thotë se menaxhmenti i RTK-së po tenton që kundërligjshëm të procedojë konkursin drejtor të Financave, Administratës dhe Zyrës Ligjore në RTK.

Sipas kësaj sindikate, në këtë pozitë po tentohet të zgjidhet një person i cili ishte i punësuar në pozitën ‘zëvendës drejtor i Shërbimeve të Përbashkëta’ në QKUK në kohën kur ministër ishte Uran Ismaili, e që sipas tyre, kjo pozitë ishte krijuar vetëm për të.

SPRTK thotë se gjatë muajit gusht të këtij viti, kjo pozitë është shuar nga Bordi i SHSKUK-së, pasi që Auditori dhe Zyra Ligjore kanë konstatuar se është krijuar në mënyrë të paligjshme.

“Për këtë pozitë kanë aplikuar tre kandidatë, njeri me diplomë në histori, tjetri në gazetari dhe i treti pa përvojë të mjaftueshme menaxheriale. Kriteret e kërkuara në konkurs thonë se duhet fakulteti në drejtimin juridik ose në menaxhim biznesi, dhe së paku pesë vjet përvojë pune në medie ose fusha relevante”, thuhet në njoftim.

Sipas dëshmive që Sindikata thotë se ka siguruar, asnjëri prej aplikuesve nuk i ka plotësuar këto kritere, që sipas tyre, do të thotë se ky konkurs do të duhej të anulohej që në fazën e parë.

SPRTK thotë se gjatë intervistës me gojë, përfaqësuesi sindikal përsëri ka kërkuar ta shohë dokumentacionin e aplikantëve, por edhe kësaj here është refuzuar nga komisioni i kryesuar nga drejtori gjeneral i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

“Kush është kandidati që po tentohet të zgjidhet? Gjatë nëntorit të vitit 2018, sa ka qenë Ministër i Shëndetësisë Uran Ismaili, ShSKUK ka krijuar një departament të ri në Organogram dhe në atë departament është punësuar ky person, ku ka qëndruar për më shumë se një vit. Pas shkuarjes së Uran Ismailit nga pozita e ministrit, Bordi Drejtues i ShSKUK-së e ka shfuqizuar organogramin i cili ishte krijuar në kundërshtim me statutin e ShSKUK-së. Menjëherë pas shfuqizimit te organogramit, ShSKUK si të kundërligjshme ka shpallur të gjitha pozitat e këtij departamenti, përfshirë pozitën e personit në fjalë, dhe i ka shuar ato”, thuhet në njoftim.

SPRTK ka renditur disa nga shkeljet që ishin gjetur nga auditori për detyrën e tij në SHSKUK.

1. Me datë 14.05.2018 ky person kishte nënshkruar kontratën për punë dhe detyra specifike, në cilësinë e Asistentit të drejtorit të SHPTA-së. Për këtë kontratë nuk ishin zhvilluar procedurat e parapara me ligjin e Punës.

2. Me datë 17.10.2018, i njëjti person kishte krijuar marrëdhënie pune në pozitën Menaxher i përmirësimit të Cilësisë të Shërbimeve në Klinikën Emergjente. Kjo pozitë nuk ishte në përputhje me Statutin e QKUK-së. Po ashtu procedurat e rekrutimit për këtë pozitë janë zhvilluar në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ Nr. 07/2017.

3. Me datë 23.10.2019, po ky person avancohet në pozitën inekzistente në Statutin e QKUK-së, zëvendës drejtor i SHPTA-së duke e shkelur kështu nenin 11 pikën 1 të Statutit.

Tani, sipas sindikatës, prej tri pozitave të kundërligjshme në QKUK, Menaxhmenti i RTK-së ka tendencë që këtë person ta punësojë në RTK, në pozitën ku kërkohen së paku pesë vjet përvojë pune në menaxhim të medieve apo fushave relevante.

“Po ashtu gjatë intervistës me gojë, që është monitoruar nga përfaqësuesi i Sindikatës, është parë se ky person ka mungesë te njohurive elementare për këtë pozitë. Bazuar në performancën e dobët gjatë intervistës me gojë, SPRTK ka dyshime të bazuara se ka pasur manipulim edhe të testit me shkrim, i cili nuk i është ofruar në disponim përfaqësuesit sindikal”, thuhet në njoftim.

SPRTK ka ftuar organet e hetuesisë që ta hetojnë këtë proces i cili është i manipuluar që prej fillimit të tij. Sipas tyre, manipulimi si në procedura ashtu edhe në vlerësim të performancës është lehtë i vërtetueshëm.