Abazi: Konsumatorët duhet të kompensohen për ndërprerjet e energjisë elektrike
Konsumatorët duhet të kompensohen për ndërprerjet e energjisë elektrike që pësuan në disa lagje të kryeqytetit të fundmi.
Dardan Abazi nga INDEP në Express Intervistë ka thënë se konsumatorët duhet të dëmshpërblehen për shërbimin që nuk u ofrohet derisa me ligj parashihet që ta kenë atë shërbim për 24 orë.
“Kemi të bëjmë me, kemi një ligj për mbrojtjen e konsumatorit, flasim për të drejtat e konsumatorit për furnizim me një produkt publik. Në këtë rast si konsumatorë e kemi një kontratë bazë për energji elektrike, që thotë se kompania do të na furnizojë 24 orë, nëse ajo dështon çka duhet të pasojë. Ligji thotë se konsumatorët kanë të drejtë për dëmshpërblim kur ata dëmtohen me këso lloj ndërprerje. Këtë e thotë Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ligji për Energjinë Elektrike”, tha ai.
Abazi thotë se operatori furnizues duhet të ketë përgjegjësi për ofrimin e shërbimit, meqë në Kosovë qytetarët nuk ka mundësi zgjedhjeje të një operatori tjetër.
“Konsumatorët kanë të drejtë të kompensohen për pjesën e rrymës e cila u ka munguar atë kohë. Problemi është që është produkt esencial dhe operatori furnizues ka rol dominues, ne nuk kemi zgjedhje tjetër për një operator tjetër. Në këto raste kur ka energji edhe jo cilësore apo ndërprerje, nuk kemi zgjidhje për të ndryshuar operatorin e furnizuesit”, tha ai.
Ai ka sqaruar se si me paralajmërim apo pa të për ndërprerje të energjisë, konsumatorët kanë të drejtë të dëmshpërblehen.
“ZRRE duhet të bëjë inspektimet, të vlerësoj shkaktarin e prishjes, a ka mundur të evitohen dhe se a ka ndodhë për neglizhencë të kompanisë së energjisë. Nëse prishjet kanë qenë të tilla që kanë mundur të paralajmërohet, ato duhet të pasohen me dënime. Kompensimi dhe dëmshpërblimi është i domosdoshëm si me apo pa paralajmërim sepse është bërë dëmi”, tha Abazi.
“Këta nuk është se po na durojnë kur nuk po e paguajmë rrymën, vijnë e këpusin rrymën kur nuk e paguan, por kur ata e ndërprejnë shërbimin atëherë nuk ka një lloj kompensimi”.
Abazi ndëprerjet në kohën kur edhe Kosova po përballet me pandeminë me COVID-19, i sheh shqetësuese.
Ai tha se ka pasur hedhje të fajit mes KOSTT-it e KEDS-it në ditët kur ndërprerja e energjisë elektrike filloi që me lagjen “Bregu i Diellit”.
Abazi ka folur edhe për investimin në Kosova A. Ai shtoi se po insistojnë në përkushtim politik për ndryshim të sistemit energjetik në Kosovë.
“Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e gjelbër, që kërkohet që Kosova të bëj dekarbonizimin e saj deri në 2050. Ne po insistojmë që përmes strategjisë së re të energjisë të jetë një përkushtim politik i Kosovës të bëj ndryshimin e sistemit energjetik, që të bëhet dekarbonizimi i plotë. Duhet të investojmë me projektin e KEK-ut, që ta mbajmë Kosovën A deri diku, apo çfarë projekti të ndjekim”, tha ai.
“Na kanë kaluar 20 vjet me qeveri që flasin për termocentrale të reja me qymyr, për masa të tjera, apo si t’i fusin veturat e vjetra në tregun tonë. Nuk kemi pasur qeveri që ndalet dhe mendon cila është e ardhmja e Kosovës”, përfundoi ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.