Arbëri

GSJP-ja fajëson Prokurorinë për neglizhim të rasteve të mosdeklarimit të pasurisë

Mungesë e trajtimit të mirëfilltë nga ana e institucioneve të drejtësisë në rastet e mosdeklarimit apo deklarimit të rrejshëm të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë, është evidentuar në analizën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike. Në raportin e titulluar “Drejtësia sot”, janë analizuar shkeljet e gjykatave dhe prokurorive në 20 raste të zhvilluara ndaj zyrtarëve publikë në vitin 2019.

Rreze Hoxha, zyrtare e GSJP-së, ka thënë se prokuroria e vendit ka neglizhuar këto raste. “Analiza ka identifikuar edhe problemin me kualifikimin e veprës... Në katër raste, prokurori i shtetit ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Veprimet e të akuzuarve nuk janë kualifikuar si deklarim jo i saktë dhe i rrejshëm i pasurisë, për të cilat parashihet dënim më i ashpër. Por, ato u kualifikuan si mosdeklarim i pasurisë apo refuzim i deklarimit për të cilat parashihet dënim më i butë”, ka thënë Hoxha të mërkurën në një konferencë për media.
Në bazë të gjetjeve të raportit të GSJP-së, asnjë prej rasteve të analizuara nuk është shqiptuar dënim me burgim efektiv. Në 8 raste është shqiptuar dënim në gjobë, në një rast dënim me kusht, kurse për 8 raste është shqiptuar dënim kumulativ (me gjobë dhe me kusht).

“Në 15 raste, që kanë të bëjnë me mosdeklarim të pasurisë, janë shqiptuar dënime me gjobë prej 200 deri në 600 eurosh, shuma këto për të cilat “Drejtësia sot”, konsideron se janë tejet minimale për një zyrtar të lartë publik. Kjo duke marrë parasysh peshën e veprës penale dhe duke krahasuar me dënimin që ka qenë i paraparë për këtë vepër në kohën kur e njëjta ka qenë e kualifikuar si kundërvajtje, me dënim minimal në shumën prej 1000 eurosh”, ka theksuar Hoxha.
Mangësi tjetër, sipas GSJP-së, është edhe mungesa e mekanizmave dhe dispozitave ligjore për verifikimin e prejardhjes dhe vlerës reale të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, si dhe konfiskimi i pasurisë së tyre, në rast se vërtetohet se është e padeklaruar ose është deklaruar pasuri e rrejshme.