Arbëri

Komisioni për Siguri fton në raportim ministrin e Mbrojtjes dhe u.d të drejtorit të Policisë

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar Projektligjin për plotësim dhe ndryshimin e ligjit për letërnjoftim. Deputetët do të kërkojnë përgjigje edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në një interpelancë rreth raportit të Komisionit Evropian, për fushën e sigurisë në Kosovë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se ky projektligj i plotëson kriteret që të procedohet për në seancë.

Më pas aty u diskutua edhe për raportin e Ministrisë së Mbrojtjes, rreth zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019.

Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku Mulhaxha, tha se në raport janë evidentuar disa vërejtje.

“Pika e tretë është Shqyrtimi i raportit të Ministrisë së Mbrojtjes të Raportit të Auditorit. Janë ngritur disa vërejtje”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica ka thënë se auditori është institucion i pavarur dhe se vlerësimet e tij duhet që të merren si të mirëqena.

Kurse deputeti Ilir Tasholli nga Lidhja Demokratike, ka thënë se komisioni duhet të dalë me kërkesë për mbushjen e rekomandimeve që dalin nga i njëjti dokument.

Komisioni u dakordua të ftojë Ministrin e Mbrojtjes për raportim lidhur me rekomandimet e dala nga Auditori.

Musliu ka kërkuar që në takimin e radhës të jetë për raportim ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë, Samedin Mehmeti.

Kurse deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka kërkuar që të shkojë Komisioni në Vushtrri për vizitë në Akademinë e Sigurisë.