Arbëri

UP-ja nuk do të hapë konkurs për studentë shtesë në Mjekësi

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka thënë për “Kohën” se Universiteti i Prishtinës nuk do të hapë konkurs për pranimin e studentëve tjerë në degën e Mjekësisë së përgjithshme sepse do ta respektojë vendimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Në vendim të Agjencisë thuhet se në këtë drejtim të Mjekësisë nuk mund të ketë më shumë se 150 studentë. Ndërkohë Likaj sot mori vendim që të pranohen edhe 50 tjerë varësisht nga kapaciteti i Fakultetit.

Në një prononcim për “Kohën”, rektori Sahiti ka thënë se Rektorati është i vendosur që ti respektojë vendimet e Agjencisë dhe të mos bëjë shkelje ligjore.

“Ne i respektojmë kuotat që i ka caktuar Agjencia e Kosovës për Akreditim sepse ata kanë vendosur në bazë të kapaciteteve që i ka Fakulteti i Mjekësisë. Nuk ka asnjë rrethanë që ka ndryshuar e të na bëjë neve me ndryshuar kuotën. Nuk kemi të drejtë të hapim konkurs tjetër sepse e kemi të ndaluar. Për këtë vit akademik është e pamundur të realizohet kjo kërkesë”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë vendim të Likajt rrezikohet vitin e ardhshëm akreditimi i drejtimit Mjekësi e përgjithshme e fakultetit të Mjekësisë.

Likaj jashtëligjshëm merr vendim të shtohet numri i studentëve në Mjekësi

Sahiti ka deklaruar se sidomos pas përjashtimit të AKA-së nga ENQA dhe EQAR ministrat e Arsimit do të duhej të kenë kujdes e të mos e rendojnë edhe më shumë ri anëtarësimin e Agjencisë në institucione ndërkombëtare.

“Ministria duhet ta ketë parasysh se a po e ndihmon ri anëtarësimin në këto institucione apo po e pengon me vendime të tilla”, ka shtuar rektori i UP-së.