Arbëri

Përplasje në seancën e rigjykimit të Naser Pajazitajt për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Gjatë të hënës ka vazhduar seanca e rigjykimit në rastin kundër Naser Pajazitajt, i akuzuar se më 9 nëntor të 2015-s në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e kishte privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj.

Naser Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, me vendim nga Gjykata Themelore e Pejës, ndërkohë Gjykata e Apelit me aktvendim e kishte kthyer për rigjykim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, raporton KOHA.

Seanca e së hënës vazhdoi me intervistimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e disa pamjeve nga kamerat e sigurisë. Ndërkohë gjatë seancës pati edhe përplasje ndërmjet avokatit të të akuzuarit, prokurores dhe gjykatësit, lidhur me një video në të cilën gjatë ditës së 9 nëntorit ishte vërejtur vetura e të akuzuarit duke lëvizur përgjatë një rruge në Strellc, e që avokati i të akuzuarit dyshon se videoja është prerë qëllimshëm.

Ibrahim Idrizi, gjyqtar për krime të rënda në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ka thënë se do të verifikohen edhe një herë incizimet telefonike.

“Gjatë asaj dite, ku është zhdukur e ndjera, i akuzuari ka pasur disa telefonata nga mbulueshmëria e tri antenave, Strellci, Zllopeku, Fidanishti”, ka deklaruar Ibrahim Idrizi, gjyqtar për krime të rënda.

E Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i së ndjerës Donjeta, kërkoi që sa më shpejt të përfundojë ky rigjykim, derisa dy gjykata më herët e kanë dhënë vendimin për rastin e motrës së tij.

“Tash po është edhe dëshmitari, i cili ka qenë anonim në atë kohë, kurse tash ka dalë sepse ka thënë se i di gjërat, krejt, pastaj është edhe togeri nga Deçani, i cili do të intervistohet, sepse gjashtë javë e ka pasur lëndën, e di rastin se çka ka ndodhur më mirë dhe ishalla e thonë të vërtetën dhe po merr fund e s’po ka më maltretime qe dy herë t’u u rikthy në rigjykim, ishalla kësaj radhe po merr fund”, u shpreh Shkëlqim Pajazitaj.

Në anën tjetër, Gëzim Kollqaku, avokat i të akuzuarit, tha se është i bindur se klienti i tij do të lirohet nga përgjegjësia në mungesë të provave derisa gjykata e ka prezantuar një video në të cilën nuk vërtetohet nëse i akuzuari Pajazitaj është ndalur me veturë apo jo afër shtëpisë së dëshmitarit ditën e 9 nëntorit. Sipas tij, këto video janë vërtetuar edhe me ekspertizën e bërë në Ankara, se në veturën e Pajazitajt nuk ka pasur asnjë njeri tjetër.

“Ju e vërejtët videon, e cila ishte e shkëputur pikërisht në sekondën e 13-të, të orës 13:44. Unë kërkova që ta kemi edhe 2 apo 3 sekonda më herët që të vërtetohet me të vërtetë a është ndalur xhipi i të pandehurit apo nuk është ndalur, meqenëse kjo është prova më kryesore dhe ne nuk e kemi”, ka thënë Gëzim Kollqaku, avokat i të akuzuarit.

Seanca për intervistimin e dëshmitarëve të tjerë do të vazhdojë edhe gjatë të martës në Gjykatën Themelore të Ferizajt.