Arbëri

BE-ja e NATO nuk i përgjigjen ftesës së liderëve kosovarë për të dënuar deklaratën e Vuçiqit

Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të enjten tha se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.

“Si parim i përgjithshëm, ne gjithmonë i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi, dhe pjesën tjetër të rajonit, që të promovojnë atmosferë e cila do të ndihmonte stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi për Çështje të Jashtme i BE-së, Peter Stano.

Komentet e Vuçiqit, që i bëri pas një takimi në Beograd me ambasadorët e vendeve të Kuintit, nxitën reagime në Kosovë. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kanë kërkuar reagimin e BE-së dhe NATO-s, pas deklaratave të Vuçiqit.

“Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja t'i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiq”, shkroi Osmani në Twitter.

Ndërkaq, Hoti tha se deklarimi i Vuçiqit është në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, “nën garancitë e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”.

Në një përgjigje dërguar REL-it, as NATO nuk pranoi të komentojë deklaratat e presidentit serb, Vuçiq, por nga kjo aleancë thanë se vazhdojnë ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Vuçiq, të enjten mori si shembull konfliktin ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhani, kur foli për dialogun me Kosovën, duke thënë se “konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”.

“Porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, shtoi Vuçiq.

Mirëpo, Vuçiqi sot është tërhequr paksa, duke thënë se deklarata e tij është keqpkuptuar se “Serbia mbetet e përkushtuar të ruajë politikën e paqes”.