Arbëri

Kryeministri Hoti merr meritat që BE-ja dhe Deçani nuk ia dhanë

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka marrë meritat për marrëveshjen që lejon ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve që kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit (ZVM), e të cilat Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë nuk ia ka dhënë.

Zyra e Bashkimit Evropian sot në mëngjes ka përcjell një komunikatë të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim (KZM), që merret me trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe, e i cili këshill ka miratuar, siç është thënë “aranzhimin për rehabilitimin e rrugëve në Komunën e Deçanit, duke respektuar Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura”.

Në komunikatën e Zyrës së BE-së thuhet se aranzhimi u lehtësua nga ambasadori Italian në Kosovë, Nicola Orlando, me mbështetjen dhe ekspertizën e siguruar nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Michele Risi.

Por në komunikatën e Kryeministrisë, thuhet ndryshe.

“Me ndërmjetësimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, z. Nicola Orlando e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi, u arrit marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Hotit, merita për këtë marrëveshje, nuk i ka dhënë as kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Postimi i tij ishte në një linja me njoftimin e BE-së.

Ramosaj në postim, në lidhje më këtë marrëveshje nuk përmendi askund Hotin dhe Qeverinë që udhëheq ai.

Marrëveshja ka të bëjë me rrugët që kalojnë nëpër Zonën e Mbrojtur rreth Manastirit të Deçanit. Pas ankesës së Manastirit dhe presionit ndërkombëtar, punimet në rrugën Deçan - Plavë ishin ndërprerë.