Arbëri

Azemi kritikon vendimin për mëditje brenda Kosovës: “Gjendja në sektorin privat po përkeqësohet”

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin SOT në KTV, foli rreth vendimit të Ministrisë së Financave për mëditjet që do të ndahen për udhëtimet brenda Kosovës te punëtorët e sektorit publik. E ka quajtur të padrejtë.

KOHA ditë më parë raportoi se zyrtarët shtetërorë do të marrin mëditje për udhëtime zyrtare dhe punëtori që organizohen edhe brenda Kosovës.

Me një vendim të Ministrisë së Financave, të marrë më 5 nëntor të këtij viti, është vendosur që zyrtarët e ministrive dhe të agjencive që marrin pjesë në punëtoritë e organizuara brenda Kosovës të paguhen nga 16 euro për një ditë të plotë.

Azemi kritikoi këtë qasje të MF-së dhe qeverisë, dhe sipas tij, shqetësim vazhdon të mbetet paga e punëtorëve në sektorin privat.

“Në këtë kohë të gjithë duhet të jemi të barabartë. Në njërën anë kryeministri merr vendim të mos paguhen mëditje, në anën tjetër MF-ja del vendim tjetër se ka mbështetje ligjore dhe do të paguhen për njerëz krejt të pakuptimtë, kjo është e padëshirueshme. Na bën me dije se sektori publik dhe privat nuk po punohet njëjtë, derisa te sektori publik mendohet se si të paguhet edhe mëditja. Te sektori privat kemi shqetësim të madh, se nuk do të mund të paguhen as pagat”, tha Azemi.

Azemi ka thënë se tashmë ka marrë edhe ankesa nga punëtorët në sektorin privat se po largohen nga puna.

“Kam marrë shumë mesazhe nga punëtorët dhe shumë pronarë të kompanive kanë filluar të shkurtojnë oraret e punës, t’ua shkurtojnë pagat. Kjo me të vërtetë është mahi, kur ata marrin mëditje”, tha ai.

Azemi tha se sektori privat “po punon për sektorin publik”, dhe kanë shqetësime shumë të mëdha.

“Madje paga e sektorit publik është trefish më e madhe. Udhëheqësit nuk po e kryejnë punën ashtu siç duhet ta kryejnë”, tha tutje Azemi.

Azemi ka shtuar se ka kërkuar madje të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti.

“Sektori privat po lihet tepër mbrapa. Derisa kemi pagë të sektorit privat 170 euro, e ata që marrin paga nga 600-700 euro të marrin edhe mëditje, kjo me të vërtetë nuk do koment”, tha tutje ai, duke shtuar se në sektorin privat do të përkeqësohet gjendja.