Arbëri

S’ka kuorum për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje, LDK-ja fajëson Listën Serbe

Ka dështuar të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike.

Shkak ka qenë mungesa e kuorumit në seancën e jashtëzakonshme, të paraparë për të mërkurën.

“Nuk ka kuorum për vazhdimin e kësaj seance”, ka thënë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Për mosarritjen e shqyrtimit në seancë të këtij projektligji, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, akuzoi partnerin qeverisës, Listën Serbe, por edhe opozitën.

“Kërkoj që të gjithë deputetët të jenë të përgjegjshëm dhe të vijnë e t’i kryejnë detyrat e veta kushtetuese. Opozita dhe një pjesë e partnerëve të koalicionit po bëjnë sjellje obstruktive, të paarsyeshme dhe të palogjikshme. Nëse ata kanë vërejtje, mund të vijnë në Kuvend t’i deklarojnë vërejtjet e tyre të votojnë kundër ose të abstenojnë ne nuk po thojmë që ata duhet të votojnë për. Lista Serbe nuk po na vjen në seancë”, ka thënë Gashi.

Përveç Listës Serbe, në seancë kanë munguar edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo parti kishte bërë të ditur paraprakisht se e pezullon aktivitetin në Kuvend për një javë, në shenjë solidarizimi me katër të akuzuarit e fundit të Gjykatës Speciale.

Kësisoj edhe në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, për shkak të mungesës së deputetes së Listës Serbe dhe dy deputetëve të PDK-së, nuk arriti të votohej raporti me rekomandime i Projektligjit.

“Pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nuk ka kuorum të mjaftueshëm që të procedohet me këtë pikë të rendit të ditës”, ka thënë kryetari i Komisionit, Hekuran Murati.

Këto veprime i ka cilësuar si të papërgjegjshme kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi.

“Është shqetësuese që sot në kohën kur diskutonim si të gjenim një mes të artë që me u menaxhuar pandemia dhe me u ruajtur ekonomia, Parlamenti prapë bëri veprim të papërgjegjshëm duke mos e votuar ligjin për rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë ai.

Edhe pse nuk u miratua Projektligji për rimëkëmbjen e ekonomisë, Qeveria sot ka ndërmarrë një sërë masash që ua kufizojnë veprimtarinë bizneseve.

Përpos seancës rreth rimëkëmbjes, në mungesë kuorumi ka dështuar edhe seanca e dytë plenare, ku ishin paraparë të votoheshin një varg projektligjesh të mbetura nga seancat e kaluara.