Arbëri

Hoti informon komunitetin e biznesit për masat e reja

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka informuar komunitetin e biznesit pra masave të reja për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19, që sot pritet të bëhen publike.

Sipas një njoftimi nga Qeveria, takimi me komunitetin e biznesit “kishte karakter konsultativ dhe informues”.

Ditë më parë KOHA njoftoi se Qeveria po mendon të marrë disa masa, ndër të cilat parashihej karantinimi dhe pezullimi i veprimtarive të ndryshme në komunat ku shifrat e rasteve të reja janë të larta.

“Masat e reja janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në përputhje me protokollet e përdorura në vende te BE-së, konform gjendjes pandemike në vend. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit e falënderuan Kryeministrin Hoti për mbështetjen e deritanishme financiare, në vlerë prej 60 milionë euro dhe shprehën mirëkuptim për masat e reja. Por nënvizuan nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Qeverisë për këtë komunitet”, thuhet në njoftim të Qeverisë.

Pas takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se masat parashohin që në komunat në zonë të kuqe të ketë mbyllje mbi 80 për qind të aktivitetit ekonomik.

Sipas tij, shqetësimi më i madh është për Prishtinën, që ka edhe numrin më të lartë të rasteve me COVID-19.

“Mbyllje do të ketë, mos ta quajmë edhe mbyllje në kuptimin klasik, do të ketë kufizime të reja, kufizime më strikte sesa këto që i kemi. E mira është që së paku po na japin kohë në kuptim të përgatitjes do të komunikohen sot dhe do të hyjnë në fuqi gjatë ditës së shtunë. Po megjithatë mbetet ende një hapësirë e rishikimit të masave të propozuara në mënyrë që të mos dëmtohet aktiviteti ekonomik”, ka thënë ai, raporton KP.