Arbëri

Sot mblidhen katër komisione parlamentare

Në Kuvendin e Kosovës sot do të mblidhen katër komisioni parlamentare. Ato janë:

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione, komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asocimi BE-Kosovë dhe komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, do të mblidhet në orën 10:00, ku do të miratohet rendi i ditës dhe procesverbalet nga mbledhja e kaluar. Në këtë komision do të jenë përfaqësues të Inspektoriatit Policor të Kosovës, lidhur me kërkesën e zyrtarëve policorë që janë invalidë gjatë luftës në Kosovë.

Ndërsa në komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes që po ashtu do të mblidhet në ora 10:00, do të jetë shqyrtimi i raportit për vendin të Komisionit Evropian për vitin 2020 në fushën e sigurisë.

Tutje, tema në komisionin e përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asocimi do të jetë Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes.

E në ora 11:00, do të mblidhet komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku do të shqyrtojë raportin vjetor financiar të vitit 2019, për kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” si dhe shqyrtimi i raportit vjetor të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019, për kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”.