Arbëri

“Të varur dhe të dhunshëm”

Descriptive Text

Që nga adoleshenca kishte filluar përdorimin e lëndëve narkotike, për të përfunduar i varur nga to.

E, në mungesë të tyre, ky 25-vjeçar, (A.SH.) ishte bërë i dhunshëm dhe viktimë e tij ishin anëtarët e familjes.

Unë ia kam filluar në moshë të pubertetit. Fillimisht duke pirë cigare, më vonë nisa të rri më gjeneratë më të moçme, isha në moshe të re”, thotë ai, raporton KOHA.

Tani është i divorcuar dhe i mungon fëmija i tij.

Pas një faze depresioni, ai thotë se trajtimi në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, ku është duke qëndruar tash e 5 muaj, është duke i ndihmuar shumë në rehabilitim.

“Si një individ kam nevojë me u socializu. Si i ri kam qenë një lloj rrugaçi, po e ofendoj veten. Para 5-6 vjetësh kam rënë bë depresion për shkak të fazave të jetës, nuk doja të merrja tableta, por doja përmes drogës të qetësoj veten. Nuk është vonë kurrë t’i kthehet rrugës normale, shkollës etj”, shtoi A.Sh.

Një tjetër pacient që gjendet brenda hapësirave të këtij instituti është edhe një i ri nga rrethi i Prizrenit.

Ai ishte arrestuar për sulm ndaj policisë.

Ai ka kaluar kohë fillimisht në burgun e Dubravës, për t’u transferuar në këtë institut.

Thotë se trajtimi po i shkon mirë dhe se dëshiron që kur të dalë nga këtu të fillojë një jetë normale.

“Para se më hy këtu, kam pas disa probleme me policë, më kanë dërguar në Burgun e Dubravës, kam qëndruar 5-6 muaj, nga aty më kanë sjell këtu, në burg kam pas disa çrregullime mendore, edhe jam shumë më i kënaqur më i qetë, burgu është shumë i rëndë. Në liri e përdori mariguanën, asgjë tjetër prej drogave”, thotë D.H.

Në këtë institut, të gjitha rastet vijnë me urdhër të gjykatave, pasi që pacientët kanë kryer ndonjë vepër penale, por kanë nevojë për trajtim psikiatrik.

Megjithatë, nuk janë të rralla rastet kur Instituti u rekomandon gjykatave që pacientët janë shëruar dhe mund të lirohen, por që janë të detyruar t’i mbajnë aty pasi që këto të fundit i injorojnë rekomandimet e këtij institucioni.