Arbëri

Nuk pritet që administrata Biden ta shtyjë zbatimin e pikave të Washingtonit

Bashkë me humbjen e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të rrëzohen edhe zotimet që Qeveria e Kosovës i kishte marrë në fillim të shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

Dëshmi e kësaj është parë edhe mospjesëmarrja e kryeministrit Avdullah Hoti në takimin e radhës të liderëve të rajonit, që e kanë iniciuar Mini Shengenin ballkanik, raporton KOHA.

Profesori i shkencave politike në Paris, Nezir Kraki konsideron se zotimet e Uashingtonit nuk do të jetësohen, pasi ato kishin vetëm qëllime elektorale për llogari të presidentit Tramp.

“Janë përralla diplomatike, që fatkeqësisht janë produkt i një diplomacie turistike, së cilës i ka prirë Richard Grenell vizavi Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka Presidencë normale në Amerikë që do ta merrte si serioze një marrëveshje të tillë apo një dokument angazhimi kaq kaotik, kaq të pabëshëm dhe kaq të parealizueshëm në terren. Nuk ka njeri serioz dhe logjikisht të strukturuar që mund t’i besojë asaj përralle që tregohet me ato pika që s’kanë as bisht as krye dhe që s’gjejnë zbatim në terren”, ka thënë Kraki.

Në dokumentin e firmosur në Uashington, i cili pati marrë kritika të mëdha në Prishtinë, mes tjerash, kryeministri Avdullah Hoti ishte zotuar ta përfshinte Kosovën në nismën e Mini Shengenit, të ndërmarrë nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. E Plani për zbatimin e këtyre zotimeve thoshte në pikën e pestë se Kosova do të marrë pjesë në aktivitetet e procesit, duke përfshirë takimin e ardhshëm të liderëve, si një anëtar i barabartë.

Të hënën liderët e të tria vendeve kanë pasur një video-konferencë, nëpërmjet së cilës janë pajtuar për çështje që ndërlidhen me pandeminë COVID-19, por kryeministri Hoti nuk ka qenë pjesëmarrës në të. Në Kabinetin e Kryeministrit kanë thënë se nuk duan të prononcohen për këtë mungesë pjesëmarrjeje.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, i cili sipas rezultateve preliminare, ka fituar garën presidenciale, kishte kritikuar presidentin Trump për marrëveshjen dhe për qasjen në raport me Kosovën.

Politologu Nezir Kraki, konsideron që shqiptarët tani kanë një rast historik, me ndërrimin në Shtëpinë e Bardhë.

“Prej një shekulli, asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mandat presidencial më të favorshëm sesa ky që do të nisë në janar. Sepse për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë do të jetë shef i Amerikës dhe i botës demokratike një person që e njeh konkretisht, personalisht, direkt çështjen shqiptare, çështjen e ish-Jugosllavisë, rrethanat e prishjes së ish-Jugosllavisë dhe fatinë e shqiptarëve në Ballkan”, ka shtuar profesori Kraki.

Në Ambasadën Amerikanë nuk kanë thënë diçka në lidhje me fatin e zbatimit të Zotimeve të firmosura në shtator në Uashington, nën arsyetimin se rezultatet e zgjedhjeve Presidenciale ende nuk janë të certifikuara. Në këtë mision diplomatik kanë konsideruar të jetë shumë herët që të komentohet për çfarëdo zhvillimi.