Arbëri

Hoxhaj: Sot nisi një proces ndaj lirisë së Kosovës, jo ndaj Thaçit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se me procesin e sotëm gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, ka nisur një proces gjyqësor ndaj lirisë së Kosovës, e jo ndaj ish-presidentit të vendit.

Ai ka reaguar me një postim në Facebook, pas paraqitjes së parë të Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Në Hagë, sot nuk filloi një proces kundër Hashim Thaçit, por një proces gjyqësor kundër lirisë së Kosovës, pavarësisë, sakrificës së popullit tonë dhe luftës çlirimtare! Lufta jonë mbrojtëse u bë nga populli Kosovës! Atje po gjykohet populli i Kosovës! Hashim Thaçi, deri më sot iu ka prirë betejave. Asaj për liri, asaj për pavarësi, asaj për shtetndërtim. Kjo është beteja e radhës dhe jo e fundit që Hashim Thaçi do t’i prijë, për të dalë sërish fitues. Për të dalë fituese Kosova”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai e ka quajtur dinjitoze paraqitjen e sotme të Thaçit para Speciales.

Sot, para Speciales është paraqitur edhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, derisa nesër do të paraqitet ish-kryetari tjetër i Kuvendit, Kadri Veseli, kurse të mërkurën Rexhep Selimi, shef i Grupit parlamentar të VV-së.