Arbëri

Për shkak të rasteve me COVID-19, SBASHK-u i bën thirrje IKSHPK-së ta vlerësojë situatën në shkolla

Për shkak të shtimit të rasteve me Covid-19, aktualisht në Kosovë janë të mbyllura 29 shkolla dhe një çerdhe publike.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në skenarin C, me mësim nga distanca po punojnë 12 shkolla në Prishtinë, 7 në Vushtrri, 3 në Lipjan, 3 në Deçan, 1 në Obiliq, 1 në Skenderaj, 1 në Novobërdë, 1 në Fushë-Kosovë dhe 1 çerdhe në Viti.

MASH ka bërë të ditur se nga raporti i fundit në komunat e Kosovës janë 72 nxënës dhe 97 mësimdhënës/personel me Covid-19, raporton KOHA.

Komuna me më së shumti raste në shkolla thuhet se është ajo e Prishtinës.

E pyetur nëse procesi mësimor mund të kthehet vetëm nga distanca, MASH ka theksuar se për këtë do të vendoset nga institucionet përkatëse.

“Deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASh, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokollit të reagimit ndaj Covid-19, së bashku me të gjitha dokumentet e tjera”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

Ministria është zotuar se deri më tash shkollat po i respektojnë udhëzimet e MASH-it, Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, teksa ka shtuar se edhe Inspektorati i Arsimit po bën monitorime të vazhdueshme.

E kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë se deri tash situata me Covid në shkolla është nën kontroll dhe shpresojnë të mos përkeqësohet ditët në vijim.

“Instituti është mirë ta analizojë edhe një herë çfarë e kemi në situatën arsimore dhe të sjellë vendim. Mësimdhënësit e Kosovës janë kategorik për vazhdimin e mësimit në objekte shkollore, por nëse të tjerët mendojnë se situata është përkeqësuar shumë, atëherë mësimdhënësit e Kosovës janë të gatshëm edhe për versionin C”, ka thënë ai.

Dy ditë më parë, UNICEF në Kosovë përmes një komunikate ka theksuar se respektimi i masave në shkolla deri tash ka pasur sukses dhe nuk ka nevojë që të gjitha të mbyllen.

Sipas UNICEF-it, shkollat duhet të mbyllen të fundit dhe të rihapen të parat.