Arbëri

Bytyçi: Imazhi i Kosovës do të dëmtohej nëse klasa politike s’do t’i përgjigjej Speciales

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka thënë se me ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj krerëve të shtetit për krime lufte, nuk dëmtohet imazhi i Kosovës. Sipas tij, imazhi do të dëmtohej nëse klasa politike s’do t’i përgjigjej kësaj gjykate.

Një ditë pasi kreu i kësaj partie, Kadri Veseli, bashkë me ish-presidentin Hashim Thaçi, shefin e Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, shkuan në Hagë pas konfirmimit të aktakuzave për krime lufte, Bytyçi në Interaktiv ka thënë se kjo nga jashtë shihet si marrje e përgjegjësisë.

“Imazhi do të dëmtohej nëse klasa politike nuk do të merrte përgjegjësi ndaj raportit të Dick Martyt”, ka thënë fillimisht ai. “Presidenti i është përgjigjur dhe e ka themeluar vetë pasi ai beson në pavarësinë e tij, le të shihet nga ky kënd. Duhet të shikojmë si do të gjykohet Kosova nga jashtë edhe në të ardhmen. S’presim asnjë dëm. Republika e Kosovës ka marrë përgjegjësi ndërkombëtare, për shkak se një raport, ka kaluar në Këshillin e Evropës dhe është zyrtarizuar, Kosova ka marrë përgjegjësi me themelimin e Dhomave të Specializuara. Gjykata është vendore edhe pse ka Dhoma me seli në Hagë. Shteti i Kosovës nga këndvështrimi i jashtëm shihet se ka marrë përgjegjësi”.

Sipas tij, fakti që në aktakuzën e publikuar ndaj krerëve të UÇK-së nuk përmendet fare raporti i Dick Martyt, është fitorja e parë e Kosovës në raport me këtë gjykim.