Arbëri

Shala shkarkohet nga posti i kryeshefit të KOSTT-it

Ilir Shala ka njoftuar se është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (Kostt).

Në një postim në Facebook, Shala ka thënë se të premten, bordi i drejtorëve të KOSTT-it, ka kthyer në këtë pozitë Mustafë Hasanin, të shkarkuar në gusht të 2017-s.

“Sot, Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it, i kryesuar nga Jeton Mehmeti dhe Nebih Zariqi, Ajrina Gashi-Hamdiu, Xhyldane Kiçmari dhe Arben Dodaj, vendosi për shkarkimin tim nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv dhe kthimin në pozitën si Kryeshef Ekzekutiv të Mustafë Hasanit, i shkarkuar nga ish-Bordi i Drejtorëve, në Gusht 2017, (sipas Ligjit të Ndërmarrjeve Publike, si ligj special, që mbizotëron ndaj ligjeve tjera), gjoja duke u arsyetuar në zbatimin e Urdhrit Përmbarimor të Gjykatës Përmbarimore, pas vendimeve të marra me standarde të dyfishta të Inspektoratit të Punës, dhe duke mos zbatuar Udhëzimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, nr. 189/2020, date 25.09.2020, për moszbatim të Vendimeve të Inspektoratit të Punës, nga Gjykata Përmbarimore”, ka shkruar ai.

Shala ka akuzuar bordin se zbaton agjendë të grupeve të ndryshme politike të interesit, teksa ka paralajmëruar se do të marrë të gjitha masat që të ndjekë të drejtën e tij ligjore.