Arbëri

Ndizen shkëndija në koalicion, partnerët qeverisës përplasen pas aktivizimit të Speciales

Fërkime të forta janë parë midis partnerëve të koalicionit qeverisës, një ditë pas publikimit të aktakuzës dhe dërgimit në Hagë të presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe shefit të grupit më të madh parlamentar, Rexhep Selimi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që përbën forcën e dytë politike në koalicionin qeverisës, ka shprehur qëndrimin për pezullimin e dialogut me Serbinë, si përgjigje kundrejt aktakuzës. Por, kryeministri Avdullah Hoti është treguar shpërfillës.

Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit, i ka thënë KOHËS se pezullim nuk do të ketë.

“Në dialogun Kosovë-Serbi, i cili po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës merr pjesë për të realizuar interesat e veta dhe jo të Serbisë. Kryeministri Avdullah Hoti, vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë arsye për të pezulluar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, zotohet se do të punojë me përkushtim e me ndershmëri për t’i realizuar obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese”, ka thënë Baxhaku-Idrizi.

Është vetë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ai që kërkesën e partisë së cilës i takon, e ka arsyetuar në mbledhjen e së premtes të Qeverisë.

“Këto aktakuza më shumë se efekte juridike, po prodhojnë efekte politike me qëllim të dobësimit të pozicionit tonë ndërkombëtar, përballë të cilave nuk guxojmë të qëndrojmë duarkryq. Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar i këtij vendi, i deleguar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për dialog, konsideroj se fillimisht Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër”, ka deklaruar Selimi.

Përplasje për dialogun me Serbinë ka pasur edhe më herët ndërmjet AAK-së e kryeministrit. Madje, kjo parti kishte kërcënuar edhe me largim nga Qeveria, nëse nuk do të merreshin në konsideratë kërkesat e saj.

Megjithëkëtë, publicistët si Imer Mushkolaj, vlerësojnë se përplasjet e këtilla bëhen kryesisht për përfitime politike, madje edhe në situatat sikur kjo e tashmja, pas aktakuzës së Speciales.

“Se a mund të jenë tash këto shkëndija për një prishje të koalicionit, unë nuk besoj se mund të jetë kështu. Për fat të keq, unë më tepër e shoh si përpjekje për përfitime politike të të dyja palëve, edhe në situata të tilla të rënda çfarë realisht aktualisht gjendet vendi, sesa si një strategji ose si qasje e menduar mirë që do të çonte në një forcim të pozicionit të Kosovës”, është shprehur ai.

Kryeministri Hoti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit, ka thënë se anëtarët e kabinetit qeveritar duhet ta respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve. Mesazhin ia ka përcjellë veçmas ministrit Selimi, që shprehu kritika ndaj Speciales.

“Në veçanti, besoj, ministri i Drejtësisë e ka të qartë më shumë se të gjithë ne këtë çështje. Ne nuk ndërhyjmë dhe nuk komentojmë vendimet e organeve të drejtësisë. Dhe më lejoni t’ju them drejt, qartë, hapur: Në qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe”, ka thënë Hoti.

Pas njoftimit se kryeministri nuk do t’i bindet kërkesës së AAK-së për pezullim dialogu me Serbinë, në AAK nuk kanë pasur një kundërpërgjigje.