Arbëri

Zemaj: Masat e reja s’janë bllokim i shtetit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka arsyetuar vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e veprimtarive të bizneseve dhe karantinimin e shtatë komunave për fundjavë.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se masat e reja janë për të mirën e të gjithëve dhe për të ruajtur vendin nga gjendja e jashtëzakonshme.

“Masat e sotme nuk janë bllokim i shtetit, por lëvizje e kontrolluar me rigorozitet, pra, nuk nënkupton ndalim të lëvizjes së qytetarëve, aty ku është e domosdoshme. Të vetëdijshëm për shtrirjen e madhe të virusit në vendin tonë, jemi të obliguar të ndërmarim masa të forta kundër virusit”, ka thënë ai.

Masat e reja janë marrë në ditën kur vdiqën 12 persona si pasojë e COVID-19 dhe u regjistruan 728 raste të reja.