Arbëri

Historia e një akuze që s’e njihte historia e njerëzimit

Foto: Alban Bujari / KOHA

Një akuzë e lansuar në 2010-n, që kishte shkaktuar shok në Prishtinë dhe pati pushtuar mediat gjithandej globit, thoshte se gjatë luftës në Kosovë ishin vrarë serbë me qëllimin për t’ua marrë organet e për t’i trafikuar. Gishti ishte drejtuar kah një grup, kumbara i të cilit ishte identifikuar Hashim Thaçi. Pesha që akuza pati, bëri që mbi Kosovën të rëndojë presioni për ta themeluar një gjykatë. Ajo u themelua dhe u vendos në Hagë. Por më pas u bënë përpjekje për ta zhbërë. Gjykata mbeti. Dhe pas një dekade kur u lansuan akuzat, është publikuar një aktakuzë kundër Thaçit dhe tre eksponentëve të tjerë të UÇK-së. Aktakuza nuk përmend trafikimin e organeve

Në një ditë të ftohtë dimri në fund të 2010-s, Hashim Thaçin do ta ngrijë një titull balline i së përditshmes britanike “The Guardian”: “Kryeministri i Kosovës ‘kontrollon tregtinë e paligjshme të organeve’”. Në Kosovë, ku Thaçi e drejtonte Qeverinë, akuzat dukeshin si skenarë të filmave fantastiko-shkencorë.

Britanikja kishte bërë një raport të gjerë të bazuar në draftin e një raporti të raportuesit të Këshillit të Evropës, senatorit zviceran Dick Marty, në të cilin hidheshin pretendime për vrasje robërish gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës në Kosovë, përgjithësisht me plumb në kokë, para se të operoheshin për t’ua marrë një a më shumë organe. Përgjegjësinë për këtë e kishte hedhur mbi atë që i ishte referuar si “Grupi i Drenicës”. E Thaçit ia kishte dhënë epitetin e kumbarës së grupit.

“Mësuam se bëhej fjalë kryesisht për tregti ‘veshkash të marra nga kufoma’, domethënë për marrje veshkash pas vdekjes, dhe jo për një seri procedurash kirurgjikale të sofistikuara që do të kërkonin kushte klinike të kontrolluara dhe, për shembull, përdorim intensiv anestezikësh”, shkruhej në dokumentin, që pas pak kohësh do të merrte vulën e Këshillit të Evropës.

Historia e njerëzimit nuk e njihte një krim të kësaj natyre, për të cilin pretendonte Marty.

Akuza e llahtarshme që pati shkaktuar shok në Prishtinë, kishte pushtuar mediat gjithandej globit.

Thaçi paralajmëroi padi për shpifje kundër senatorit Marty. Padia nuk qe bërë, nën arsyetimin se raportuesi gëzonte imunitet nga ndjekja.

E kur janë bërë një dekadë prej lajmit shokues, Thaçi do të përballet me akuzat. Të enjten ai e ka deklaruar dorëheqjen nga pozita e presidentit të shtetit dhe është nisur për në Hagë, ku e ka selinë Gjykata Speciale, e cila është krijuar ndërkohë dhe është mveshur me mandat për t’i trajtuar pretendimet që përmban Raporti i senatorit zviceran, por edhe për të hetuar e gjykuar përtej këtyre pretendimeve.

Raporti kishte vënë në thumb pesë personalitete të larta të UÇK-së, më kryesori nga të cilët ishte Thaçi. Të tjerë që ua ka faturuar përgjegjësinë për krime lufte janë edhe Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla e Fatmir Limaj.

Edhe Veseli ka udhëtuar për në Hagë, të njëjtën ditë. Ai ka qenë kryeparlamentar në dy mandate dhe aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, forca e dytë opozitare më e madhe në vend. Rrugë të njëjtë të enjten ka marrë edhe Rexhep Selimi, kryetar i grupit parlamentar të subjektit më të madh politik në Kosovë – Lëvizjes Vetëvendosje. Një ditë më parë, edhe Jakup Krasniqi, që po kështu ka qenë kryeparlamentar në dy legjislatura, është dërguar në Speciale, por pas bastisjes së shtëpisë dhe arrestimit të tij që i është bërë.

Të katërtit kanë qenë eksponentë të Ushtrisë Çlirimtare, gueriles që dy dekada më parë i ishte përgjigjur me armë regjimit të Slobodan Milosheviqit. Rreth 250 ish-pjesëtarë të kësaj guerileje janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërkaq i pari që është arrestuar është Salih Mustafa.

Kosova qe detyruar ta ngrejë Specialen pas presionit ndërkombëtar për t’i zbardhur akuzat e listuara nga raportuesi i Këshillit të Evropës.

Më 7 janar të 2011-s, Raporti qe votuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. E në shtator tё po atij viti, Bashkimi Evropian formoi Task-forcën Hetimore Speciale (SIFT) pёr kryerjen e një hetimi tё pavarur rreth pretendimeve tё ngritura nё raport dhe krimeve tё tjera nё lidhje me to. Nё verёn e 2014-s, SIFT bëri të ditur se ekzistonin prova tё mjaftueshme pёr ngritje aktakuzash. Por nuk kishin ku ta paraqisnin një të tillë, meqë nuk kishte gjykatë.

Po në këtë vit, nëpërmjet një letërkëmbimi ndërmjet presidentes sё Kosovёs dhe pёrfaqёsueses sё lartё tё Bashkimit Evropian pёr Politikё tё Jashtme dhe tё Sigurisё, e që e ka statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, ishte arritur marrëveshja mbi modalitetet pёr procedimin e aktakuzave të mundshme. Në gusht të 2015-s, Kuvendi miratoi amendamente kushtetuese dhe Ligjin për Specialen, në bazë të të cilit kjo gjykatë përfaqëson ҫdo nivel tё sistemit tё gjykatave nё Kosovё – Gjykatёn Themelore, Gjykatёn e Apelit, Gjykatёn e Lartё dhe Gjykatёn Kushtetuese. Formalisht është gjykatë e Kosovës, por përbëhet nga ndërkombëtarë dhe e ka selinë në Hagë të Holandës.

Procesi i krijimit nuk ishte i lehtë. Fare pak vërejtje të palës kosovare kishin zënë vend në draftin final të amendamenteve dhe Projektligjit për gjykatën, dokumente që duhej negociuar me Brukselin zyrtar.

Pas procesit të dytë të negociatave me një delegacion të Bashkimit Evropian, Ekipi Teknik që e drejtonte ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Hajredin Kuçi, kishte listuar 11 çështje që duhej të prekeshin në Projektligj. Për to ishte kërkuar vendimmarrje nga Grupi Politik, të cilin e drejtonte presidentja e asaj kohe, Atifete Jahjaga, nën patronazhin e së cilës ishte udhëhequr procesi i negocimit të pakos ligjore për Specialen. Në këtë grup ishin edhe kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, kryeparlamentari i asaj legjislature, Kadri Veseli, dhe Hashim Thaçi, që atëkohë ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Grupi Politik pati pranuar shumicën e përmbajtjes së sponsorizuar nga BE-ja, e cila nga Ekipi Teknik ishte cilësuar si e dëmshme për sovranitetin dhe imazhin e Kosovës.

BE-ja i ka prirë bashkësisë ndërkombëtare, në mësymjen për ta krijuar gjykatën. Dhe është mbështetur nga ato që njihen shtete kontribuuese, sikur është Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs.

Vënia për votim e amendamenteve kushtetuese e edhe ajo e ligjit ishte shtyrë disa herë. Ndërkaq, kur për herë të parë ishin ftuar deputetët që të votonin, këto dokumente nuk kishin kaluar. Çereku i deputetëve të PDK-së ishte bërë sebep që të mos kalonin amendamentet kushtetuese, me të cilin do t’i hapej rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Meqë opozita e dominuar nga LVV-ja ishte kundër, pa votat e PDK-së nuk mund të bëheshin ndryshimet kushtetuese. Thaçi, që atëkohë e drejtonte këtë subjekt politik, i kishte akuzuar deputetët e partisë së tij se i kishin bërë dëm të madh Kosovës.

“Dua të vlerësoj me përgjegjësinë më të lartë, edhe morale e edhe politike e kombëtare se me votimin kundër që pamundëson themelimin e kësaj gjykate, Kuvendi i Kosovës apo ata që kanë votuar kundër, kanë bërë dëmin më të madh aktualisht që mund t’ia bëjë dikush shtetit të Kosovës dhe lirisht mund të them se është bërë një shërbim për oponentët e pavarësisë së Kosovës, me ose pa vetëdije”, pati thënë Thaçi. “Ne do të procedojmë përsëri dhe unë dua të shpresoj në guximin qytetar, në përkushtimin kombëtar të njerëzve që votojnë, dhe deputetët kanë legjitimitet qytetar për të marrë vendime në interes të shtetit dhe jo të interesave politike ditore, flas për deputetët e çdo subjekti politik që kanë votuar kundër”.

Jo shumë kohë më vonë ishin vënë sërish për votim amendamentet. Ishte vera e 2015-s kur ato kishin kaluar.

Pas kësaj rrethane, nëpërmjet një marrëveshjeje ndërkombëtare midis Kosovës dhe Holandës, Gjykata ishte vendosur me seli në Hagë, meqë amendamentet e votuara e edhe ligji përcaktonin që ajo ta kishte edhe një seli jashtë vendit.

Kësisoj, drejtuesit e trupës që do t’i hetonte dhe gjykonte pretendimet e Raportit Marty nuk ndodheshin në Kosovë.

Një haber e kishte lënë në Prishtinë kryeprokurori i Speciales, David Schwendiman, në 2016-n. Në vizitën e parë bërë Kosovës prej se ishte emëruar në krye të organit të akuzës, ai kishte folur për veprime të shpejta. Në vizitën që i kishte bërë Prishtinës, Schwendiman kishte takuar përfaqësues të lartë shtetërorë, zyrtarë të gjyqësorit, si dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Por jo edhe Thaçin e Veselin, ani se atëkohë i pari ishte president e i dyti kryeparlamentar. Isa Mustafën që ishte kryeministër, e kishte takuar.

Ky qe sinjal se “të mëdhenjtë” e luftës do të ndiqen. Dhe mesazhin për këtë e pati përforcuar edhe Ekaterina Trendafilova, e cila vizitoi Kosovën dhe të njëjtët nuk i takoi.

Kur gjykata ishte konsoliduar dhe pritej të shpalleshin aktakuzat e para, ishte bërë orvatja politike që ajo të pezullohej. Presidenti Thaçi nisi një diskurs të fortë kundër saj, dhe kjo u pasua me një peticion të shoqatave të dala nga lufta dhe mori seriozitet më vonë kur deputetë të PDK-së, subjekt që për gati dy dekada është drejtuar nga Thaçi e prej rreth tre vjetësh nga Veseli, iniciuan nismë ligjore për shfuqizimin e ligjit. Ata ishin mbështetur edhe nga deputetë të AAK-së së Haradinajt. Po kështu, edhe nga deputetë të Nismës, parti që drejtohet nga Limaj.

Me të nisur shkurti i 2018-s, pushteti i asaj kohe përfundimisht qe zmbrapsur nga iniciativa.

Liderët politikë nuk u dorëzuan kur ndërkombëtarët kërcënuan me izolim të Kosovës, por vetëm pasi dhanë prova se ata personalisht do t’i ndienin pasojat e Speciales. Ambasadori amerikan që ishte atëkohë me mision në Kosovë, Greg Delawie, troç pati dhënë këtë mesazh: “Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra. Ata e dinë këtë sepse ua kemi thënë”.

Atëkohë, Ambasada amerikane refuzoi ta pajiste me vizë Ramush Haradinajn që ishte kryeministër, duke ia pamundësuar kështu pjesëmarrjen në një ceremoni në shtetin Iowa.

Ndërkaq, vendet e QUINT-it shprehën pritjen që “të gjitha shtetet të ndjekin penalisht, ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”.

Më pas Thaçi kërkoi edhe nga Departamenti i Shtetit që Specialja të zhvendosej në Kosovë dhe që ajo të kishte në mandat ndjekjen dhe gjykimin edhe të krimeve të bëra nga serbët. Kishte marrë përgjigje negative.

“Shfuqizimi ose minimi i punës, strukturës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kosovës në botë; pretendimet do të mbeteshin njollë e përhershme mbi Kosovën; do të vihej në dyshim përkushtimi i Kosovës në sundimin e ligjit; mohohet drejtësia për viktimat; dhe e mjegullon të ardhmen e Kosovës si anëtare e familjes euro-atlantike dhe komunitetit ndërkombëtar”, shkruan në një letër që në fillim të 2020-s sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ia ka kthyer Thaçit. “Operimi i Dhomave të Specializuara, sipas formatit aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta përmbyllë këtë kapitull të historisë së saj dhe për t’ua mundësuar Shteteve të Bashkuara të kundërshtojnë argumentet e mohuesve të shtetit të Kosovës…”.

Dhe, një përpjekje tjetër është bërë në verë, kur Specialja ka mbushur pesë vjet prej kur është themeluar dhe Thaçi e një numër zyrtarësh shtetërorë të vijës së luftës konsideronin se ajo e kishte përmbyllur mandatin kohor, tek i referoheshin një neni të amendamenteve kushtetuese.

Mbështetur në amendamentin 24 të Kushtetutës, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – emërtim ky zyrtar për Gjykatën Speciale – do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit bëhet më herët. Në të njëjtin amendament theksohet se në mungesë të një njoftimi të këtillë, mandati i Speciales do të vazhdojë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-274 dhe në konsultim me Qeverinë.

E Ligji që i referohet amendamenti, ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare mes Kosovës dhe BE-së, mbi misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, që për instrumente ka letërkëmbimin mes presidentit të Kosovës dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Mes të tjerash, në këtë letërkëmbim konfirmohet se puna e SIFT-it, pararendëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, “do të vazhdojë deri në kohën kur Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian që hetimet kanë përfunduar, ose që procedimet që rrjedhin nga ato hetime kanë përfunduar”.

Nismat që për synim kishin mbylljen e Gjykatës, bënë që organi i akuzës të tregonte se kishte një propozim-aktakuzë kundër Thaçit e Veselit. Prokurori i Specializuar e kishte gjykuar të domosdoshëm nxjerrjen e kësaj informate, pasi kishte thënë se Thaçi e Veseli po bënin përpjekje të përsëritura për pengimin dhe sabotimin e punës së Speciales.

Aktakuza është konfirmuar nga Gjykata dhe përmbajtja e redaktuar e saj është publikuar të enjten mbrëma. Bazuar në të, ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi – akuzohen për vrasje, trajtim mizor, zhdukje me forcë të personave në periudhën mars 1998 - shtator 1999. Ata akuzohen për vrasje në Shqipëri, e është përmendur se ndër viktimat kanë qenë edhe anëtarë të LDK-së.

Në këtë dokument 66-faqesh të Speciales nuk ndodhet edhe akuza që e kishte shokuar botën – ajo për vrasje të serbëve me qëllimin për t’ua marrë organet e për t’i trafikuar ato.