Arbëri

Zgjedhjet në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, pa tubime elektorale

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, do të mbahen pa tubime elektorale shkaku i përhapjes së madhe të koronavirusit.

Zemaj përmes një njoftimi në Facebook, tha se këtë çështje e ka diskutuar sot edhe me kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut të 29 nëntorit, për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19, duhet të zhvillohen ndryshe nga herët e tjera, duke respektuar vendimet dhe ligjin në fuqi. Sipas gjendjes aktuale, konsiderojmë të ndalohen të gjitha tubimet publike për fushatën zgjedhore gjatë zgjedhjeve lokale dhe të zbatohen masat parandaluese sipas IKSHPK dhe MSH”. Ka shkruar Zemaj.

Sipas mninistrit, prioritet është shëndeti i qytetarëve e jo tubimet në këtë kohë.

Zgjedhjet e parakohshme të 29 nëntorit

do të mbahen pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave për t’u bërë ministra, përkatësisht të Agim Veliut nga Podujeva dhe të Goran Rakiqit nga Mitrovica e Veriut.