Arbëri

Basha: PDK-LDK po ia pamundësojnë diasporës të drejtën e votës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka kritikuar mosvotimin e Projektligjit për Diasporën në Komisionin për Legjislacion.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se vetëm në zgjedhjet e fundit në Kosovë, bashkëatdhetarët kanë shpenzuar 450 mijë euro për votimet me postë.

Mospërkrahja e këtij projektligji, sipas tij, po ua pamundëson të drejtën e votës mërgatës.

Ai thotë se përmes këtij projektligji, VV ka synuar që përveç votimit përmes postës, të aplikohet edhe votimi direkt në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës, e të cilat e kanë edhe obligim të iu ofrojnë shërbime qytetarëve shtesë.

“Ky shërbim ndaj tyre do t’ua garantonte ushtrimin e së drejtës kushtetuese, dhe njëkohësisht t’i kursente atyre miliona euro. Republika e Kosovës, ka gjithsejtë 55 misione diplomatike. Prej tyre, 27 ambasada dhe 28 zyra konsullore. Në ato vende ku nuk kemi prezencë diplomatike, ky Ligj do t’ua mundësonte mërgatës të shfrytëzohen ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë. Në zgjedhjet e fundit, kam familjarë që kanë paguar 100 dollarë për me votuar me postë, e nëse e marrim vetëm një mesatare prej 30 euro për votues me postë, nga 15 mijë votues kanë shpenzuar diku 450 mijë euro”, ka thënë ai.

Basha thotë se besohet që në Kosovë vetëm për zgjedhjet e 2019-së kanë ardhur që të votojnë minimumi 10 mijë bashkatdhetarë, e që sipas tij, nëse llogaritet shpenzimi minimal 500€ për secilin, i bie që mërgata ka shpenzuar 5 milion euro që të votojnë.

“Mbas krejt këtij shpenzimi e maltretimi, PDK & LDK bëhen bashkë dhe prapë votojnë kundër mërgatës. Se besoj se kjo do koment shtesë, sepse sot u shpërfaq se sa këta përfaqësojnë interesat e bashkatdhetarëve tanë”, ka thënë ai.