Arbëri

Drejtori i AKP-së mohon se një ari është shitur për 1 €, por pranon se me 2 € është shitur

Drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, ka mohuar se pronat e shtetit të jenë shitur nga një euro për ar.

Para Komisionit hetimor parlamentar për procesin e privatizimit, Tolaj ka thënë se kryesisht pronat janë shitur me çmime më të larta, 8 nga to me nga 2 euro për ar, raporton KOHA.

“Nuk rezulton që nga viti 2008, AKP-ja ka shitur pronë prej 1 euro. Të paktën ne nuk kemi kontratë, që nga koha kur AKP menaxhohet nga institucionet e Kosovës. Nuk ka ndodhur të nënshkruhet një kontratë me çmime prej 1 euro. Nga 818 kontrata me çmimin nga dy euro ari janë vetëm 8 kontrata. Nëse ka kontratë me çmimin një euro ari ka kontratë edhe 127 mijë euro ari”, ka deklaruar Tolaj, drejtor menaxhues në AKP.

Ai tha se shitja e pronave lirë është bërë për shkak të mungesës së ofertave ose për shkak të lokacionit të tokave për të cilat nuk ka pasur shumë interesim.

“E kam një listë të disa shitjeve që kanë ndodhur në vitin 2020 të tokave që janë afër ose rrugëve magjistrale ose zonave urbane ose fshatrave nuk janë zona të thella këto. Ka raste të shitje me 11 euro ari, 6 mars 2020, me 11 euro prapë 28 maj 2020, me 15 euro ari më 18 maj 2020, 17 euro ari, 15 euro ari 18 euro ari”, ka thënë Hajrullah Çeku, kryesues i Komisionit.

Tolaj, i cili në prill të 2018-s e ka lënë AAK-në dhe në nëntor të po atij viti është emëruar drejtor në AKP, u pyet nga deputeti Hekuran Murati për mundësinë e ndikimit të ish-partisë së tij në procesin e privatizimit.

“E rikonfirmoj në momentin kur kam dhënë dorëheqje nuk ka qenë as në perspektivë ideja e shkuarjes time në AKP, nuk ka ekzistuar as si ide e mos të flasim si realitet”, është përgjigjur Tolaj.

Mes të tjerash, në këtë mbledhje deputetët u akuzuan mes vete për punësime partiake në AKP. Deputeti Murati pyeti për punësimin e vajzës së ministrit Blerim Kuçi.

“Tezja e Mimoza Kusarit, balldëzka e Albin Kurtit, djali i Hidajet Hysenit,, kunata e Rozeta Hajdarit. Kur janë punësuar këta njerëz në çfarë kohe?”, tha Bekë Berisha, anëtar i Komisionit.

Por, Vetëvendosje përmes një reagimi i ka demantuar pretendimet e Bekë Berishës duke thënë se personat që janë të punësuar në AKP, janë në ato pozita shumë më parë sesa të vinte qeverisja e Albin Kurtit.

Për shkak të seancës së Kuvendit, të hënën ka dështuar të intervistohet Ekrem Hajdari, ish-drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare për Privatizim.