Arbëri

Njohja e ndërsjellë vetëm deklarativisht, s’dihet kur vihet në rend dite në dialogun me Serbinë

Qeveria e Kosovës po vijon dialogun për çështje të ndryshme në Bruksel, megjithëse kryeministri vazhdimisht është deklaruar se çdo takim zhvillohet vetëm për njohjen reciproke.

Në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë treguar se kur do të jetë në rend dite “njohja e ndërsjellë”. Vetëm kanë thënë se nuk mund të ketë zbatim të pjesshëm të marrëveshjes pa u dakorduar për të gjitha çështjet, raporton KOHA.

“Pasi që në këtë fazë po punohet për marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, ritheksojmë se Qeveria është e përkushtuar t’i zbatojë në përpikëri parimet themelore në këtë proces. Parim themelor është se nuk ka dakordim për asgjë derisa nuk dakordohemi për të gjitha, dhe nuk ka zbatim të pjesshëm të marrëveshjes”, ka thënë drejtoresha e Zyrës pë komunikim në qeveri, Antigona Baxhaku.

Kryeministri Hoti pati shkuar edhe në Uashington me synimin që të arrihet marrëveshje për njohje, por hoqi dorë prej saj shkaku i refuzimit të Serbisë.

Mbështetje Marrëveshjes së Uashingtonit i ka dhënë presidenti Thaçi, edhe pse brenda saj nuk e kishte njohjen. Por të hënën ai e ka quajtur të dështuar dialogun me Serbinë, nëse nuk shtrohet në tavolinë kjo temë.

"Ky dialog ka vetëm një kuptim, nëse propozimi për njohje reciproke hidhet në tavolinë. Përndryshe është krejt i pakuptimtë, krejt i panevojshëm dhe është i dështuar dhe është në favor të Serbisë, si i tillë që po zhvillohet", ka pohuar Thaçi.

Deri para 24 qershorit, kur u njoftua se ndaj tij është deponuar një aktakuzë për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar, Thaçi ka qenë në krye të dialogut. Por asnjëherë në tavolinë me Serbinë nuk është shtruar njohja e ndërsjellë.

Allen Meta nga instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D) thotë se që nga fillimi i dialogut më 2011 nuk është folur për çështje të mëdha, sikurse njohja e ndërsjellë.

“Duke qenë se edhe presidenti Thaçi ka qenë i kyçur në dialogun Kosovë-Serbi, që nga fillimi i tij para nëntë viteve, nuk i ka ngritur këto pretendime për njohje reciproke. Gjatë një periudhe të dialogut kur Thaçi ishte i kyçur në të, kemi pasur futjen e një marrëveshje e cila mund shumë e rrezikshme rreth shkëmbimit të territoreve”, ka deklaruar Meta.

Pas më shumë se një muaji, javën e kaluar në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës në nivel të koordinatorëve, ku është biseduar për pensionet dhe kadastrën.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Qeverisë të hënën nga Kuvendi që të tregojë se çfarë është dakorduar në Bruksel për të zhdukurit dhe të zhvendosurit. Ajo ka thënë të jetë vënë në dijeni se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë pajtuar lidhur me një tekst rreth kësaj teme.