Arbëri

Kompania ia sheh “sherrin” lirimit nga taksa, gjobitet nga Dogana

Vendimit për lirim nga pagesa e taksës doganore prej 10 për qind për pajisje të teknologjisë informative, i marrë afro 3 vjet më parë, ia pa “sherrin” kompania “Kosprod”. Edhe pse kodi tarifor me të cilin importonte “reseiveret” është liruar nga kjo taksë, Dogana e Kosovës e ka gjobitur e më pas i ka bërë edhe kallëzim penal me pretendimin për shmangie të taksës. I njëjti mall kishte hyrë disa herë pa paguar taksën dhe nuk ishte kontestuar nga Dogana.

Megjithatë, kallëzimin penal të Doganës e ka hedhur poshtë Gjykata Themelore në Prishtinë. Sipas saj, thuhet se nuk ka prova se ka pasur shmangie të taksës dhe se nuk është vërejtur se i pandehuri, pronari i kompanisë, ka kryer vepër penale për të cilën ngarkohet, apo ndonjë vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Në vendimin të cilin e ka siguruar KOHA thuhet se në bazë të numrit tarifor malli është liruar nga taksat doganore prej 10 për qind, asnjë provë nuk është vërtetuar se i pandehuri ka kryer vepër penale për të cilën ngarkohet, apo ndonjë vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Në vendim thuhet se nga ekspertiza e kryer rezulton se malli kontestues “reservera mag 322” është përcjellë me deklarata eksportuese sipas kodit tarifor që vjen nga Estonia, që është shtet i BE-së, dhe me të njëjtin kod tarifor është deklaruar nga importuesi “Kosprod”, sipas të cilit kod tarifor malli është i liruar nga pagesa e taksës doganore prej 10 për qind.

“Bazuar në mendimin dhe konstatimin e ekspertit nuk ka shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, pasi që ky mall kontestues vjen nga Estonia, që është anëtare e BE-së, dhe të dhënat në deklaratën eksportuese janë të besueshme, pasi që të njëjtat u nënshtrohen procedurave të autoriteteve doganore të shtetit anëtar të BE-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Në vendim thuhet se është vërtetuar nga dokumentet doganore që importuesi, nga fillimi i veprimtarisë së tij përkatëse, nga koha kur ka filluar të importojë këtë mall e deri në importin e fundit në deklaratën doganore me rastin e zhdoganimit të mallit, këtë mall e ka paraqitur për zhdoganim, këtë kod tarifor.

Gjykata ka konstatuar se importuesi në asnjë mënyrë nuk ka përdorur dokumente të rrejshme, por me rastin e plotësimit të deklarata doganore për zhdoganim të mallit ka përdorur kodin tarifor të njëjtë me kodin tarifor të vendosur në deklaratën eksportuese nga dërguesi i mallit.

“Meqenëse malli kontestues përkohësisht është i sekuestruar, me kërkesë të veçantë do të kërkohet nga Gjykata t’i kthehet importuesit. Në procedurën hetimore me asnjë provë nuk është vërtetuar se i pandehuri ka kryer vepër penale e cila i ngarkohet apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrë zyrtare për shkaqet e cekura më lart, në mungesë të provave pushohet hetimi ndaj të pandehurit Misim Beqiri”, thuhet në vendim.

Pronari i kompanisë “Kosprod”, Misret Beqiri, ka thënë ka pesë vjet që importojnë këtë produkt, por me vendim të Qeverisë është liruar nga taksa doganore.

“Por, këtë produkt Dogana në start nuk e kontestoi si kod doganor, por më vonë edhe ngriti një padi ndaj kompanisë sonë, për të cilën lëndë pas ekspertizave dhe prokurorit dhe gjykatës ne dolëm fitimtarë dhe fituam lëndën dhe u urdhërua Dogana që të zbatojë këtë urdhër dhe të lirojë komplet mallin, po nuk ndërmori asgjë, por pas një jave nga vendimi i gjykatës na dhanë një gjobë tjetër prej 10 mijë eurosh, si në taksë retro për 66 mijë euro mall vlerë për vitet që kanë kaluar”, ka treguar ai.

Por, përkundër që ky kallëzim penal është hedhur poshtë nga Gjykata dhe është urdhëruar kthimi i mallit, Dogana insiston se duhet të ndryshohet kodi tarifor.

Gjykata në vendimin e saj ka konstatuar se nuk ka shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, pasi që ky mall kontestues vjen nga Estonia, që është anëtare e Bashkimit Evropian, dhe të dhënat në deklaratën eksportuese janë të besueshme, pasi të njëjtat u nënshtrohen procedurave të autoriteteve doganore të shtetit anëtar të BE-së.

Nga Dogana kanë konstatuar se ky produkt duhet të ketë kod tjetër tarifor që u nënshtrohet taksave.

“Në bazë të vendimeve që i ka marrë Dogana, vendime të brendshme, aty sqarohet se kompania në fjalë ka pasur ndryshim tarifor, nga një kod që ne mendojmë se meriton ai produkt kodin tjetër tarifor dhe kjo për ne është një lloj kundërvajtje që ka qëllimin që të shmangë taksën, por ne kemi kthyer për tre vjet importin e kompanisë dhe kemi vërejtur importe të vazhdueshme të kompanisë të këtij produkti të caktuar”, ka thënë zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Sipas tij, ka nisur procedura hetimore për shkak se ka pasur shmangie mbi 10 mijë euro.

“Ne kemi nisur procedurën hetimore, për shkak se shmangia, sipas nesh, ka qenë mbi 10 mijë euro dhe është vepër penale, por ndërkohë Prokuroria na ka sjellë vendim për pushimin e hetimeve, pasi nuk ka vërejtur që ka konsumim të veprës penale nga kjo kompani dhe tani rasti është në procedurën administrative dhe doganore”, ka thënë ai.

Por, ai ka thënë se malli do të lirohet në momentin që të paguhen taksa dhe gjoba.

“Ne kemi vazhduar me procedurën administrative. Kompania mund të ankohet nëse mendon që është i padrejtë”, ka theksuar Stavileci.

“Në bazë të vendimit që e kemi prej sektorit tonë, ai mendon se kjo kompani ka lëvizur me kode tarifore për të cilat ka edhe shmangie... Po, por produktet gjatë gjithë kohës ndryshojnë, reserveri merr karakterin”, theksoi ai.

Megjithatë, edhe kodi që po kërkon Dogana që ta ketë ky produkt, e që i nënshtrohet taksës, ka të njëjtin përshkrim me atë që lirohet nga taksa.

“Aparate me pajisje të lidhur rreth një mikroprocesori me modem të përfshirë për t’u lidhur me internetin, duke pasur si funksion shkëmbimin ndëraktiv të informacionit, të afta në kapjen e sinjaleve televizive (“’set top boxes’ me funksion komunikimin”),duke përfshirë edhe ato pajisje të inkorporuara si pajisje me funksion regjistrimi apo riprodhimi, me kusht që ato ta përmbajnë karakterin të një ‘set boxi’ me funksion komunikimi”, thuhet në dy kodet tarifore.

E pyetur se a ka të drejtë kompania t’i ndërrojë kodet, Dogana nuk është përgjigjur, duke thënë se ato çdoherë ndryshohen varësisht nga evoluimi i pajisjes. Por, thotë se ka pasur disa kompani që kanë bërë kundërvajtje për shkak se kanë tentuar që të fusin produkte me kode që nuk i nënshtrohen taksës.

Megjithatë, kompania thotë se ka futur mallin me të njëjtin kod, siç ka bërë edhe para vendimit për lirim nga taksa. Por, pronari i kompanisë thotë se me këto vendime janë dëmtuar shumë si biznes.

“Dëmet janë shumë të mëdha, na ka qitë prej tregut me këtë produkt, na ka bërë dëm shumë të madh. Është malli që qëndron në depo doganore qe 1 vit dhe i skadon garnacioni dhe dëmi ekonomik është shumë i madh. Mbi 100 mijë euro është vlera e mallit pa taksa doganore, plus gjoba të tjera. Na po rrezikohemi si kompani, është taksirat që duhet t’i largojmë disa punëtorë nga puna”, thotë Beqiri.

Ka thënë se ka bërë disa padi ndaj Doganës për gjobat e shqiptuara, ndërsa thotë se do të ndjekë edhe hapa të tjerë ligjorë. Ai ka pohuar se i është drejtuar edhe Ambasadës Amerikane lidhur me këtë çështje.