Arbëri

Shaip Kamberi në Parlamentin e Serbisë pushtetin e Beogradit e quan autokrat dhe totalitar

Kuvendi i Serbisë sot, pas ekspozesë se Ana Bërnabiqit, mandatares për formimin e Qeverisë, ka vazhduar diskutimet në lidhje me zgjedhjen e qeverisë, ndërsa kryetari i Parlamentit, Ivica Daçiq ka paralajmëruar se, meqë janë paraparë pesë orë për këtë qëllim, e gjitha duhet të përfundojë rreth orës 20.00, kur kryeministrja do të duhej të bënte betimin, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

Për diskutim i pari është paraqitur shefi i Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar – PAD (Stranka Demokratske Akcije – SDA) Sanxhaku”, Shaip Kamberi.

Diskutimin ai e nisi me fjalët “Mirëdita, dobar dan”, e pastaj pushtetin në Serbi e quajti autokratik dhe totalitar, ndërsa për gjendjen në Serbi tha se në të “lulëzon ksenofobia” dhe se u dërgohen kërcënime pakicave, të cilët nuk kanë asnjë pozitë ministrore.

Serbia është problematike vetë për veten, ka konstatuar ai, duke theksuar se ka qenë e vështirë të merret me mend se se e vetmja opozitë në Parlament do të jenë gjashtë deputetë të pakicave kombëtare.

Është shumë pikëlluese për demokracinë, një parlament të tillë nuk do të mund ta prodhonte as Sllobodan Milloshjeviqi, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq janë treguar më efikase nga baballarët e tyre politikë, ka thënë Kamberi, duke vlerësuar se gjendja në Serbi është si në Bjellorusi, me dallim se në Minsk ka protesta në rrugë.

Mandataren Ana Bernabiq e ftoi të vizitojë vendet e varrezave masive të shqiptarëve të vrarë, në Serbi, Batajnicë dhe vende të tjera dhe kështu të dëshmojë “solidaritetin kolektiv” viktimat dhe të dënojë krimet e luftës.

Kamberi ka konstatuar se Bujanoci dhe Presheva ndodhen nën shtetrrethim të përhershëm policor, ndërsa e ka ftuar Vuçiqin që të vijë dhe të hapë ndonjë repart industrial atje, meqë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, janë të varfër e të papunë.

Për këto arsye, është shprehur ai, Grupi Parlamentar të cilin e përfaqëson nuk do të votojë për zgjedhjen e qeverisë së re.

Daçiq ka hedhur poshtë pohimet e Kamberit, të cilat, sipas tij janë të pabaza dhe krijojnë fotografi të rreme dhe paragjykime se pakicat në Serbi janë të rrezikuara.

Si shembull ai ka përmendur faktin se në Bujanoc, ku partia e Kamberit e ka pushtetin, jetojnë 50 për qind serbë, ndërsa asnjë nuk ndodhet në organet e pushtetit, transmeton Koha.net .

Daçiq ka kërcënuar se do t’ia ndërpresë fjalën, nëse nuk “zgjedh fjalët” për pushtetin në Serbi dhe udhëheqësit e saj.

Mandatarja për formimin e Qeverisë së re të Serbisë, Ana Bernabiq, i tha shefit të grupit parlamentar të pakicës kombëtare shqiptare e boshnjake, Shaip Kamberit, se është problem i tij se nuk dëshiron dialog, por se “me dekada e dekada merret me floskula dhe pseudopolitikë, por jo me atë që është e mirë për qytetarët”.

Për shqiptarët nga jugu i Serbisë më mirë do të ishte që këtu të vazhdojmë të bisedojmë për cilësinë e jetës dhe jo për floskula politke. Të bisedojmë për kohën në të cilën jetojmë, për vitin 2020, dhe jo për të nëntëdhjetat. Për cilësinë e jetës së qytetarëve, dhe jo për luftërat, krimet dhe të kaluarën e të nëntëdhjetave, ka theksuar Bernbiq.

Ajo ka mohuar pohimet e Kamberit se pakicat në Serbi janë të diskriminuara, ndërsa ka shtuar se as ai nuk ka të drejtë që në parlament të diskriminojë cilindo qoftë.

Ju keni zgjedhur të merreni me politikanizëm, sipas Bernabiqit, që t’ia bëjë me dije Kamberit se ai për të është deputet si cilido tjetër, “ndërsa pse flet ashtu për Aleksandar Vuçiqin, është një çështje e veçantë”, për të cilën duhet t’u japë përgjigje bashkëkombësve të vet.

Vuçiq, sipas saj, ka bërë më shumë se kushdo tjetër për pajtimin historik të serbëve e të shqiptarëve.

Bërnabiq ka akuzuar Kamberin se për të më me rëndësi është që në parlament të “pështyjë” Vuçiqin, sesa të thotë se çfarë ka bërë si pët “pajtimin historik”, ndërsa ka hapur dialogun me shqiptarët, për ç’arsye qarqet radikale në Serbi e kanë akuzuar për tradhti.

Çfarë keni bërë ju për shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë, ndërsa me dekada jeni në politikë. Kukatni pa ndërprerë, është shprehur Bernabiq, transmeton Koha.net.