Arbëri

PDK-ja kritikon heshtjen e ambasadave për shkarkimet nga Qeveria Hoti

Partia Demokratike e Kosovës, ka kritikuar shkarkimet e mbrëmshme nga Qeveria në krye me Avdullah Hotin, në Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, ka kritikuar, siç tha ai, heshtjen e ndërkombëtarëve për këtë çështje.

Ndërsa këto shkarkime, i ka vlerësuar të rrezikshme dhe politizim të institucioneve.

“Jemi në konferencë për të shprehur shqetësimin për kërcënimin e Qeverisë Hoti ndaj shërbyesve civilë. PDK krenohet që nuk ka cenuar asnjë institucion të pavarur pavarësisht që ka qenë gjatë në pushtet. Kjo qeveri e lodhët me vendimin e djeshëm ka goditur pavarësinë e Policisë, Doganës dhe ATK-së. Po krijohet në precedent i rrezikshëm për politizimin e këtyre institucioneve. Është për keqardhje që ambasadat e huaja, në veçanti ajo e Mbretërisë së Bashkuar, nuk kanë reaguar dhe vazhdojnë të heshtin”, tha Totaj, raporton KOHA.

Totaj tha se PDK-ja konsideron se këto shkarkime, siç u shpreh ai, pa arsyetime dhe në kundërshtim me ligjin, rrezikojnë pavarësinë e institucioneve.

“Arsyetimi i vendimit ndaj drejtorit të ATK-së është amatoresk. Kemi të bëjmë me qasje joprofesionale të Qeverisë Hoti”, tha Tolaj.